Foto: REL/AFP

Tensioni në Irak, protesta para Ambasadës së SHBA-së

Forcat amerikane kanë përdorur gazin lotësjellës për të shpërndarë demostruesit pro-iranian, para kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në Bagdad të Irakut.

Dhjetra pjesëtarë të një grupi militant pro-iranian, dhe pëkrahësit e tyre, kanë qëndruar gjatë tërë natës para ambasadës amerikane.

Ata po protestojnë ndaj një sulmi ajror të SHBA-së në caqet e këtij grupi në Siri dhe Irak, më 29 dhjetor të vitit 2019.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kanë kryer “sulme precize të mbrojtjes” kundër pesë shënjestrave në Irak dhe Siri, që kontrollohen nga grupi paramilitar Kata’ib Hizbullah, që përkrahet nga shiitët iranianë.

Ky grup konsiderohet terrorist nga Shtetet e Bashkuara. Të zemëruar më këto sulme, protestuesit sulmuan ambasadën amerikane në Bagdad.

Për këtë incident, presidenti i SHBA-së, Donald Trump e fajësoi Iranin. Trump tha se Irani “do të paguajë një çmim shumë të madh”.

“Ky nuk është një paralajmërim, por një kërcënim”, tha presidenti Trump.

Së paku 26 pjesëtarë të forcave të sigurisë afgane janë vrarë, gjatë një vale të re sulmesh nga ana e militantëve talibanë në veri të Afganistanit.

Grupi militant e mori përgjegjësinë për sulmet.

Në rajonin Kunduz, së paku 10 pjesëtarë të forcave afgane u vranë, dhe katër të tjerë u plagosën, gjatë një sulmi në një pikë kontrolli të policisë.

Sulmi tjetër ndodhi në rajonin Balkh. Militantët talibanë vranë 9 oficerë të policisë, ndërkaq ende nuk dihet për fatin e katër policëve tjerë, që gjendeshin në pikën e kontrollit, tha Mohammad Afzel Hadid, një zyrtar rajonal.

Edhe në një incident tjetër u vranë 7 pjesëtarë të forcave të sigurisë afgane.

Gjatë përleshjeve të armatosura mbetën të vrarë 10 militantë talibanë.

Më herët gjatë kësaj jave, grupi militant tha se nuk planifikon të deklarojë armëpushim të përkohshëm në Afganistan.

“Gjatë ditëve të kaluara, disa media kanë transmetuar raporte të pavërteta në lidhje me armëpushimin. Fakti është se nuk ka plane për armëpushim”, thanë talibanët përmes një deklarate.

Militantët talibanë vazhdojnë të organizojnë sulme, duke synuar forcat afgane dhe amerikane, si dhe zyrtarë qeveritarë. Incidentet ndodhin derisa grupi zhvillon bisedime paqeje me një të dërguar të SHBA-së, i ngarkuar me negociatat për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak në Afganistan./ REL