Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: Twitter
Tensionet në veri, Stoltenberg bisedon me Kurtin: Palët të shmangin veprimet e njëanshme
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka njoftuar se ka biseduar së fundmi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur me zhvillimet e fundit në veri.
Shefi i NATO-s ka thënë se të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë dhe të shmangin veprimet e njëanshme.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Të dielen, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Spoke to @albinkurti about the recent tensions in #Kosovo & the continued importance of our @NATO_KFOR mission. All sides must maintain calm, avoid unilateral actions & support EU-mediated dialogue. I remain in close contact w/both Pristina & Belgrade.
— Jens Stoltenberg (@jensstoltenberg) August 2, 2022