Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Tensionet në veri, reagon kryeparlamentari Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar në veri të vendit.

Konjufca tha se dënon ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren.

Ai ka shprehur solidaritet personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës duke ju uruar shërim sa më të shpejtë.

“Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”- ka shkruar Konjufca.

Kryeparalemntari ju ka bërë thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat sipas tij, haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

“Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë! Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit”- ka deklaruar ai.

“Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet”- shton Konjufca.

esë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi të njëjtit kanë përdorur sulme dhe dhunë ndaj zyrtarëve të KFOR-it pas tensionimit të situatës në veri.

Zhvillimet e fundit në veri mund t’i gjeni në këtë LINK.