FOTO - Largohet barrikada në Mitrovicën e Veriut

(Lajm i përditësuar -19:09)

Katër kamionë të vendosur që nga mëngjesi i ditës së sotme në afërsi të Shkollës Teknike në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut është larguar rreth orës 18:00.

KALLXO.com ka qëndruar në atë zonë gjatë ditës së sotme dhe ka siguruar pamje të heqjes së barrikadës, e cila ishte vendosur për të kundërshtuar aksionin kundër kontrabandës të Policisë dhe Doganës së Kosovës, aksion i cili nisi orët e hershme të mëngjesit në disa lokalitete të vendit.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga vendi i ngjarjes.

Që nga mëngjesi Policia dhe Dogana e Kosovës kanë ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

(Lajm i përditësuar – 18:13)

Mbetje të mjeteve piroteknike, shok-bombave, vetura të dëmtuara e barrikadat e vendosura në mes të rrugës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në këtë kohë kur tashmë ka filluar të errësohet.

Që nga mëngjesi Policia dhe Dogana e Kosovës kanë ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Në këto incidente ka pasur të lënduar e të plagosur edhe në radhët e Policisë edhe të protestuesve. Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.

Megjithatë, situata aktualisht duket e qetë ndërsa KALLXO.com mëson se mbrapa barrikadave të krijuara në Lagjen e Boshnjakëve edhe qytetarët kanë nisur të shpërndahen.

Policia e Kosovës po kërkon dhjetë persona nën dyshimin për kontrabandë me mallëra.

Policë të njësive speciale janë lëndusr nga shpërthimi i granatave të dorës të cilat janë hedhur nga qytetarët serbë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Përveç zyrtarëve policorë janë sulmuar edhe gazetarë, kameraman e fotoreporter të mediumeve të ndryshme në Kosovë.

Një ngjarje e tillë i ka ndodhur edhe ekipit të KALLXO.com rrugës për në Zveçan, ku një turmë qytetarësh kanë hedhur mjete piroteknike e edhe mollotov në drejtim të veturës së gazetarëve.

Në Lagjen e Boshnjakëve në afërsi të Shkollës Teknike qytetarët serbë kanë hedhur më shumë se tri herë mjete piroteknike, shok-bomba e mollotov në drejtim të gazetarëve duke u munduar qe të pengojnë raportimin për situatën e krijuar sot në veri të Kosovës.

Vetëm pak metra larg Shkollës Teknike janë parë edhe ekipet e EULEX-it, të cilët po qëndronin në veturat e tyre.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë gjithë ditës në pika te ndryshme të veriut të vendit.

Në rrugën për Zubin Potok siç merr vesh KALLXO.com një qytetar ka përdorur të njëjtën strategji me bllokimin e rrugës kryesore.

Ai ka venë një automjet të rëndë në mes të rrugës dhe është larguar.

Rruga në atë pjesë ishte e bllokuar në njërën korsi.

Një situtatë e qetë nuk u pa në Zveçan gjatë gjithë ditës. Qytetarët nuk lejuan asnjë veturë të gazetarëve të kalonte në atë pjesë. Me të parë veturat të njejtit ndeznin mjetet piroteknike dhe rrethonin veturat duke pamundësuar kështu raportimin direkt nga ajo zonë.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes sjell pamje aktuale të situatës në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut.

(Lajm i përditësuar – 14:52)

Për shkak të situatës që po zhvillohet edhe në këto momente në Mitrovicë të Veriut, ekipe të shumta të gazetarëve janë duke qëndruar atje për të raportuar mbi ngjarjen.

Mirëpo ambienti ku ata po e kryejnë punën e tyre nuk është i sigurtë.

Ekipi i KALLXO.com po raporton se si gazetarët po provokohen nga turma e qytetarëve serbë të cilat kanë gjuajtur edhe mjete piroteknike në drejtim të tyre.

Gazetarët janë duke qëndruar momentalisht në Lagjen e Boshnjakëve, afër shkollës teknike.


(Lajm i përditësuar – 14:23)

Disa policë kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë marrë lëndime nga shpërthimet e granatave që janë hedhur gjatë aksionit të ndërmarrë nga policia kundër kontrabandës në veri te Kosovës.

KALLXO.com mëson se njëri nga të lënduarit i cili po merr trajtim aktualisht në Emergjencën e QKUK-së është edhe Kapiteni i Njësive Speciale Besart Ahmeti.

I njëjti ishte edhe udhëheqës i njësitit të Forcave Speciale Operative në Bërnjak pas vendosjes së barrikadave nga ana e qytetarëve serb të cilët në atë kohë kundërshtonin reciprocitetin e tabelave te veturave.

(Lajm i përditësuar – 13:52)

Shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marr trajtim në Spitalin e Mitrovicës së Jugut pas lëndimeve nga aksioni i sotëm kundër kontrabandës.

Luljeta Zhubi, drejtoreshë e spitalit të Mitrovicës së Jugut në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se deri tani shtatë policë kanë pranuar trajtim mjekësor në këtë spital.

Ajo shtoi se tre prej tyre janë nisur për trajtim në Prishtinë pasi kanë marr lëndime nga shpërthimi i bombave.

“Fillimisht kemi pranuar raste me lëndime më të lehta, pastaj disa me lëndime nga shpërthimi i bombave. Prej shtatë policëve, tre prej tyre janë nisur për trajtim në Prishtinë, por nuk janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Zhubi.

Ajo potencoi se dy prej policëve kanë marr lëndime në ekstremitete, ndërsa njëri është lënduar pas kokës.

“Në bazë të trajtimit të parë që kemi dhënë, dy prej policëve kanë lëndime në ekstremitete, ndërsa njëri është i lënduar pas kokës”, potencoi Zhubi.

 

(Lajm i përditësuar – 13:38)

Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë lënduar pas sulmit që u është bërë me granatë dore. KALLXO.com, mëson se policët janë sulmuar me bomba dore, pasi ishin duke kryer kontrolle në një depo të barnave, ku dyshohej se kishte mallra të kontrabanduara.

Burimet e KALLXO.com tregojnë se cak i kontrollimit nga Policia, kanë qenë disa depo të barnave dhe barnatore në veri të vendit të cilat udhëhiqen nga njerëzit e fuqishëm të kontrabandës në veri.

Në njërën nga këto barnatore në Mitrovicën e Veriut, gjatë konfiskimit të barnave janë sulmuar dhe lënduar 3 zyrtarë policor.

Sulmi ka ardhur nga grupet e protestuesve që janë mbledhur para barnatores.

Personi i cili dyshohet se është prapa barnatores dyshohet se është i njëjti i cili i ka sulmuar zyrtarët policor edhe më herët.

Policia e Kosovës nga mëngjesi i sotëm ka filluar një aksion për mallra të kontrabanduara.

Pamje ekskluzive – Gëzhoja plumbash pas shkrepjeve të armëve në veri

(Lajm i përditësuar – 13:20)

(FOTO) Gëzhoja plumbash pas shkrepjeve të armëve në veri

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se pas aksionit anti-kontrabandë në veri tensionet janë rritur dhe ka pasur edhe gjuajtje me armë zjarri, molotov, shok-bomba e gaz lotsjellës.

Të shtënat me armë zjarri, nuk janë fare të pakta dhe siç mund të shihni në fotografitë e bëra nga ekipi i KALLXO.com që po qëndron në vendin e ngjarjes, mbetjet e fishekëve nëpër rrugët e veriut më saktësisht në Zveçan.

(Lajm i përditësuar – 13:03)

Sërish sulmohen gazetarët nga protestuesit serb me shok-bombë në afërsi të shkollës teknike.

Gazetarët të cilët po qëndrojnë dhe raportojnë nga afërsia e shkollës teknike në veri të Kosovës sërish janë sulmuar nga qytetarët serb të cilët kanë vendosur disa barrikada në këtë pjesë.

Ndaj gazetarëve është hedhur një shok-bombë ndërsa të njëjtit nga pozicioni ku ishin më parë, janë zhvendosur disa metra më poshtë, porse edhe një barrikadë po qëndron ende në këtë pjesë. Prapa kësaj barrikade ka edhe qytetarë që janë mbledhur në shenjë proteste ndaj aksionit policor.

(Lajm i përditësuar – 12:45)

Banorët serbë të veriut kanë vendosur pengesa në rrugën që të çon në drejtim të Zveçanit.

Kallxo.com ju sjellë pamje nga pengesat ku shihen edhe kontejnerët e përmbysur në mes të rrugës.

Situata në veri të vendit u tensionua pas një aksioni anti-kontrabandë të realizuar mëngjesin e sotëm në disa pjesë të Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit, ku u arrestuan tetë persona të dyshuar për përfshirje në kontrabandë më mallra.

 

(Lajm i përditësuar – 12:23)

Qytetarë të shumtë janë mbledhur në rrugën që të dërgon për në Leposaviq.

Qytetarët kanë formuar një barrikadë ndërsa kanë sulmuar ekipet e gazetarëve të cilët po kalojnë në atë pjesë me gurë dhe mollotov.

Kallxo.com ka arritur që të kap momentet kur qytetarët janë vënë mbrapa gazetarëve për t’i sulmuar.

 

(Lajm i përditësuar – 11:38)

Një pjesë e dyqaneve dhe bizneseve në veri të vendit tashmë janë mbyllur.
Kjo pasi Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit nisi një aksion kundër kontrabandës.

Qytetarët serbë në formë revolte po vazhdojnë të mbajnë rrugët e bllokuara me mjete të rënda, edhe pse aksioni në këtë pjesë ka përfunduar.

(Lajm i përditësuar – 11:35)

Tre zyrtarë policor kanë marrë lëndime të lehta gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës.

KALLXO.com mëson se të njëjtit janë kthyer në Mitrovicën Jugore në kampin Belvedere.

Tensionet në veri të vendit kanë nisur mëngjesin e sotëm pas aksionit anti-kontrabandë të policisë së Kosovës.

 

(Lajm i përditësuar – 11:31)

Në hyrje të veriut që tashmë është bllokuar nga barrikadat e qytetarëve serbë, sic raporton KALLXO.com nga vendi i ngjarjes, janë parë mjete plasëse.

Këto mjete dyshohet se janë hedhur nga protestuesit.

 

 

(Lajm i përditësuar – 11:21)

Pas tensioneve ne veri të vendit, ekipet e KALLXO.com raportojnë ka të shtëna me armë zjarri në Zveçan.

Aty policia janë vendosur në pika për ofrim të rendit dhe sigurisë ndërsa informacionet tregojnë se ka pasur edhe të shtëna armësh nga qytetarët dhe disa shpërthime.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në veri të vendit dhe merr vesh se tensionet janë duke vazhduar në Zveçan.

(Lajm i përditësuar – 11:10)

 

Pasi situata në veri ishte e tensionuar nga qytetarët e asaj ane, për shkak të aksionit të Policisë kundër kontrabandës, tashmë situata është qetësuar.

Por, bllokada me mekaneri të mëdha në hyrje të veriut po vazhdojnë të mbesin në vendin e ngjarjes, pavarësisht përfundimit të aksionit të Policisë.

Aksioni i Policisë së Kosovës ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit dhe ka përfshirë disa rajone dhe jo vetëm veriun.

Më herët KALLXO.com raportoi se njësia speciale ka ndërhyrë me autoblinda për ti shpërndarë protesutesit e asaj ane.

 

 

 

Në veri të vendit është tensionuar situata pas aksionit të Policisë kundër kontrabandës.

Qytetarët serbë kanë protestuar duke e kundërshtuar këtë aksion, derisa KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se një veture i është vënë zjarri.

Policia e Kosovës, më saktësisht njësitë speciale, po ashtu ka ndërhyrë me autoblinda në mënyrë që ta ndajë turmën e njerëzve.

Aksioni i Policisë së Kosovës kundër kontrabandës ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit.

 

Aksion anti-kontrabandë i Policisë në veri të vendit – PAMJE