Tensionet në veri, Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiq takohen në Moldavi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Kishinau të Moldavisë.

Kështu ka bërë të ditur Vuçiq përmes një postimi në rrjetin social në Instagram, përmes të cilit ai ka thënë se kanë diskutuar për ngjarjet aktuale dhe hapat që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje.

“Ne në rajon e dimë më së miri se sa e rëndësishme është që bashkërisht të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e fituar me vështirësi. Diskutuam ngjarjet aktuale dhe hapat e mëtejshëm që do të kontribuonin në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën aktuale të vështirë dhe serioze, me shpresën se arsyeja do të mbizotërojë, në të mirë të të gjithëve”- ka shkruar Vuçiq.

Presidenti serb është takuar edhe me udhëheqës të tjerë shtetëror të Ballkanit, si presidenten e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe anëtaren serbe të kryesisë së Bosnje Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq.

Në fokus të diskutimeve të tyre ka qenë situata në veri të Kosovës.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Në samitin e sotëm, Macron ka paralajmëruar se do të zhvillojë një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Serbët në veri të Kosovës do të vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë. Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Serbët kanë paralajmëruar se protesta në këto komuna fillon nga ora 7:00 e mëngjesit.

Gjatë ditës së djeshme pati disa sulme ndaj gazetarëve dhe veturave të mediave të cilat janë dëmtuar nga persona të dyshuar.

Policia njoftoi se një polic është lënduar nga sulmet që i janë bërë veturave zyrtare të Policisë.

Kurse gjatë përleshjeve midis protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it, janë plagosur 30 ushtarë ndërkombëtarë, tre prej të cilëve kanë marrë plagë nga armët e zjarrit, konfirmoi misioni i KFOR-it të martën. Për këto sulme, policia kishte arrestuar pesë persona të dyshuar.

Në lidhje me këtë gjykata e Prishtinës ia ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë dy serbëve të arrestuar të hënën në Zveçan, të cilët dyshohet se u shkaktuan lëndime pjesëtarëve të KFOR dhe Policisë së Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, ekziston dyshimi se të akuzuarit së bashkë me disa të dyshuar të tjerë nga nacionaliteti serb kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe me armë zjarri nga të cilat janë lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Kryeministri i vendit Albin Kurti e ka ripërsëritur se për sa kohë do ketë persona të dhunshëm para objekteve të komunave, policia do vazhdojë të qëndrojë atje.

Në anën tjetër Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që t`i zhvendos zyret e kryetarëve dhe po ashtu ta tërheqë policinë nga objektet komunale.

Kurse Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, të martën e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender Europe ’23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheq Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Ambasadori theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe ’23”.

Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë. Serbë lokalë po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale, nga komuniteti shqiptarë.

 

Zhvillimet në veri – Vazhdojnë protestat