
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takim me Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Tensionet në veri - Bislimi pret në takim raportuesen Viola von Cramon
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka takuar sot Raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
Sipas komunikatës, për media ndër temat që kanë diskutuar Bislimi dhe Cramon ka qenë edhe situata e shkaktuar në veri të Kosovës, ku protestues serbë janë mbledhur në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit për ta penguar hyrjen e kryetarëve në objektet komunale.
“Në lidhje me situatën në veri, u ritheksua se është e rëndësishme që kryetarët e zgjedhur të fillojnë sa më parë me ofrimin e shërbimeve për qytetarët. Si kryetarë tё komunave, ata mund tё ushtrojnë pёrgjegjёsitё e tyre vetëm nga ndёrtesat e komunёs, nga ku dhe shërbejnë për interesat e secilit qytetar pa dallim”- thuhet në komunikatë.
Ndër temat tjera të diskutuara mes Bislimit dhe Cramon njoftohet të kenë qenë edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Sipas komunikatës, Bislimi është shprehur mirënjohës ndaj Cramon për punën e saj në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen për Kosovën.
“Në fillim të takimit, u shpreh mirënjohja për punën e znj. Cramon në Parlamentin Evropian dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, veçanërisht në liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe BE. Raportet e fundit të publikuara, siç është edhe ai i PE-së për Kosovën, përmbante mesazhe pozitive për vendin dhe vlerësime në integrim evropian, ekonomi, financa, agjendën legjislative e arsim ndër shumë fusha të tjera të përfshira”- është thënë në komunikatë.
Në komunikatë u theksua se “Përkrahja që vjen nga Parlamenti Evropian, është i çmueshëm për rrugëtimin evropian të Kosovës….”.
Tutje, është bërë e ditur se në takim zëvendëskryeministri Bislimi e informoi Cramon edhe mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel me 15 maj.
Dje, Cramon ka marrë reagime të shumta pasi gjatë një bisede që ajo e ka bërë me policët e Njësisë Speciale në Zveçan iu është drejtuar atyre duke i pyetur “Pra ju jeni këtu 24/7 dhe ku është rreziku, çka dreqi ju solli juve këtu?”.
Dje Cramon ka qëndruar pranë Komunës së Zveçanit, e më pas është shoqëruar edhe afër objekteve shkollore që gjenden mbrapa objektit komunal.
Në vazhdimësi ajo është përcjellë nga Aleksandar Arsenijoviq i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, i cili ia ka shpjeguar situatën që u krijua nga e premtja.
Von Cramon në Zveçan i drejtohet policit: Ku është rreziku, çka dreqi ju solli këtu?