
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane
Tensionet në veri - Ambasadori amerikan flet për sulmet ndaj KFOR-it, Policisë dhe mediave
Pas takimit të ambasadorëve të shteteve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, ambasadori i SHBA-së Jeffrey Hovenier para mediave ka dënuar dëmtimin e makinave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës me grafite nacionaliste e dëme materiale.
Ai po ashtu dënoi edhe sulmin ndaj disa mediave gjatë raportimit nga veriu i Kosovës.
“Jemi të shqetësuar për dhunën drejt pronave zyrtare, kemi parë foto me grafite kundrejt makinave të KFOR-it dhe policisë, kemi dëgjuar për sulme kundrejt gazetarëve. Kolegët nga Bashkimi Evropian tashmë kanë lëshuar një komunikatë lidhur me këtë, ne po ashtu e dënojmë këtë”- deklaroi ambasadori.
Tutje, Hovenier shtoi se përkrahin të drejtën për protestë paqësore.
Protesta paqësore është e drejtë për një shoqëri demokratike. Ne përkrahim të drejtën e secilit qytetar të protestojë paqësisht. Kërcënimi i njerëzve dhe shkatërrimi i pronave nuk është e pranueshme”- shtoi ai.