Tensionet në Ballkan marrin vëmendjen kryesore në Konferencën për Siguri në Munih

Edhe pse Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi i BE-së, në përgjithësi, nuk përfaqësonin një temë me rëndësi në Konferencën e Sigurisë Munih 2020, duke u lënë në hije çështje të tilla sikurse që janë dallimet në Perëndim dhe marrëdhëniet me Kinën dhe Rusinë, ishte ky rajon ai që ishte në fokus të pjesëmarrësve në këtë konferencë e përshkruar si një temë mjaft e fortë dhe e ndjeshme.

Këtë herë ishte konflikti Serbi-Kosovë dhe tensionet përreth tij të cilat morën vëmendjen kryesore, shkruan European Western Balkans, EWB, portal rajonal i specializuar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me seli në Beograd.

Ishin tri ngjarje për Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Munihut 2020, njëra prej të cilave kishte më shumë rëndësi dhe që bënte fjalë për marrëdhëniet ndërkombëtare në botë.

Natyrisht, një prej ngjarjeve më të rëndësishme që ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor ishte paneli i diskutimit i cili u mbajt me 14 shkurt si pjesë e Dialogut të Ballkanit i inicuar nga Instituti East West, ngjarjet e të cilit më herët ishin organizuar edhe në Berlin dhe Beograd.

Kjo ngjarje apo ky panel diskutimi është mbajtur sipas rregullave Chatam House dhe pjesëmarrës ishin liderët e Ballkanit Perëndimor, zyrtarë të lartë të BE-së, anëtarë vendesh tjera  si dhe zyrtarë nga SHBA, e po ashtu edhe pjesëmarrës tjerë nga Konferenca e Sigurisë në Munih. Një zyrtar anonim e ka përshkruar  si me shumë interes këtë ngjarje apo edhe si një “lloj rrëmujë në ikje e sipër”, shkruan tutje portali EWB.

Ky panel diskutimi ishte rasti i parë për kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, Albin Kurti, që të takohet me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq ndërkohë që ky takim mori vëmendjen kryesore duke i lënë nën hije çështjet tjera për diskutim si dhe prezencën e zyrtarëve tjerë të lartë nga regjioni ballkanik.

Megjithëse ky panel diskutimi është mbajtur prapa dyerve të mbyllura duke përdorur modelin Chatam House, një fenomen ky të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama e ka përshkruar si “Rregullat e Chatam Ballkanit” e prej ku, paevitueshëm, është karakterizuar me shumë informacione të rrjedhura në publik, Politico raporton se kryesuesi i këtij paneli, Wolfgang Ischinger, i ka thyer rregullat para se konferenca të fillojë duke njoftuar se do të ketë një takim ndërmjet presidentit serb Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Kurti, me gjithë faktin se pjesëmarrësit nuk do të duhej të bëheshin të ditur, ndoshta në këtë mënyrë duke i paraprirë një spektakli publik i cili pritej të ndodhte.

Mediat serbe që konsiderohen të afërta më qeverinë raportuan për një përleshje verbale ndërmjet presidentit serb dhe kryeministrit kosovar, duke raportuar se Presidenti serb Vuçiq e ka “lënë pa fjalë” dhe e ka “shkatërruar” kryeministrin Kurti  menjëherë pasi që ky i fundit kishte thënë se ‘Serbia do të duhej të çlirohej nga Kosova”.

Gazetat serbe madje kanë raportuar se Vuçiq i ka thënë Kurtit se ai nuk do të lejojë që të turpërojë Serbinë dhe se kryeministri kosovar nuk përfaqëson shtetin e Kosovës pasi që ky shtet nuk është njohur nga gjysma e shteteve të botës dhe se Kosova duhet ta respektojë Marrëveshjen e Brukselit dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ndërkohë, vetë Vuçiq ka deklaruar për televizionin shtetëror serb “RTS” se takimi ishte “i rëndë” dhe se ai “ka luftuar për interesat e Serbisë dhe të popullit serb, si dhe ai e ka investuar tërë “njohurinë, energjinë dhe entuziazmin e tij”.

Fjalimi i Kurtit në panel në fakt ishte incizuar dhe ishte bërë publik në të njëjtën ditë, me komentet e Vuçiqit të drejtuara në serbisht duke u dëgjuar shumë qartë. Kjo pastaj u pasua me presidentin serb duke e cilësuar këtë si “me çfarë lloj mashtrimi ne jemi duke u përballur” dhe se ai vetë i ka respektuar rregullat e Chatam House.

Duke folur në këtë panel, Kurti ka deklaruar se vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhej të pranoheshin në BE në të njëjtën kohë dhe se iniciativa e “Mini Schengenit” do të duhej të jetë pjesë e Procesit të Berlinit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrëse në të dhe se ky proces do të duhej të evoluonte në një “mini Marshall plan.”

Kurti po ashtu ka folur edhe për tri parimet që do të duhej të aplikoheshin në dialogun me Serbinë, se “nuk do të duhej të ketë marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta dhe jo harta me presidentët aty rrotull”.

Kryeministri i Kosovës e ka përmbyllur fjalimin e tij duke deklaruar se Kosova ishte e okupuar nga Serbia  dhe se të gjitha këto vende të cilat “ e kanë çliruar Kosovën nga Serbia” tani do të duhej “ta çlironin Serbinë nga Kosova” pasi që Kosova paraqet një barrë të rendë për të.

Disa burime e kanë konfirmuar për EWB se në fakt kishte një përplasje verbale ndërmjet Vuçiqit dhe Kurti dhe se reagimi i presidentit serb ndaj deklaratave të kryeministrit kosovar ishte shumë agresiv duke përfshirë edhe disa komente në gjuhën serbe të cilat ishin shumë të zëshme në gjirimet që rrodhën në publik.

Mediat serbe e kanë paraqitur sjelljen e Vuçiqit në frymën pozitive mirëpo burimet e EWB  e përshkruajnë situatën si shumë të pakëndshme.

Kjo ngjarje ishte në një kundërthënie me  ngjarjet e ditës së njëjtë kur në prezencën e të dërguarit  special të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, si dhe të dy presidentëve, Kosova dhe Serbia e nënshkruan një letër interesi për hekurudhat dhe autostradat që do të duhej ti ndërlidhnin këto dy vende.

Që të dy, Vuçiq dhe Thaçi ishin falënderues ndaj ambasadorit Grenell si dhe përpjekjeve amerikane për atë që mediat ndërkombëtare e kanë cilësuar si “hap të madh diplomatik.”

Sidoqoftë, edhe kjo ngjarje nuk kaloi pa kundërthënie pasi që diç më vonë kryeministri kosovar Albin Kurti deklaroi se përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës të cilët kishin nënshkruar dokumentin nuk ishin të autorizuar për ta bërë një gjë të tillë dhe se vetë ai nuk ishte i njoftuar me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.

“Dy marrëveshje janë nënshkruar sot në Munih nga dy zyrtarë të autorizuar nga ish ministri Pal Lekaj. Krejt procesi negociator është bërë para se kjo qeveri të marrë mandatin e saj qeverisës. Andaj, këta zyrtarë nuk kanë pasur autorizim nga qeveria e re për të negociuar apo për të nënshkruar marrëveshje,” ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Ky zhvillim në mënyrë të qartë tregon se pyetja se kush ka mandatin për tu përfshirë në dialog me Serbinë, kryeministri Kurti apo presidenti Thaçi, ka shumë gjasë që të mbetet akoma e diskutueshme dhe do të krijojë konflikte të mëtejshme ndërmjet zyrtarëve kosovarë.

Përfundimet në Munih mund të sinjalizojnë rritjen e interesit ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor si dhe zgjidhjen e rebusit Kosovë-Serbi mirëpo mënyra se si janë shpalosur këto përfundime ngërthen në vete një pikëpyetje të madhe në lidhje me vullnetin politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve para mbajtjes së Samitit BE-Ballkani Perëndimor në muajin maj të këtij viti në Zagreb, përfundon artikullin e saj portali rajonal European Western Balkans.