Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tensione pasi policia e nxjerr nga kafiteria kryetarin e komunës së Obiliqit

Një situatë e tensionuar përshkruhet në një raport të Policisë së Kosovës, të siguruar nga KALLXO.com në të cilin tregohet momenti kur policia ka tentuar ta largoj nga një lokal kryetarin e komunës së Obiliqit, Xhafer GashiN.

Ngjarja e cila ka ndodhur në mesnatën në mes 15 dhe 16 shkurtit në qytetin e Obiliqit, përshkruhet në një raport të një rreshteri të cilin e ka siguruar KALLXO.com

Raporti tregon se policët e kishin pritur disa minuta Gashin për t’u larguar nga kafeneja e cila do duhej të ishte e mbyllu për shkak të masave të pandemisë, ndërsa pas kësaj Gashi kishte shkuar në stacion, ku sipas raporti të policit të rastit, aty kishte pasur tensione.

Në mbrëmjen në mes 15 dhe 16 shkurtit policët e Obiliqit kishn dalë të kontrollonin kafiteritë të cilat ishin hapur, duke shkelur kështu masat e vendosura nga Qeveria për shkak të pandemisë.

Në ora 12 pas mesnatës në lokalin “Nostra”, policët përshkruhet se hasën edhe kryetarin e komunës, Xhafer Gashin.

Kur policët ishin afruar tek dera e lokalit, sigurimi i kryetarit u kishte thënë se kryetari ka pirë pak, ndërsa zyrtarët policorë kishin kërkuar që të largohen nga aty pasi po shkelen masat e pandemisë.

Raporti i rreshterit të policisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon pas kësaj kërkese të policisë në tavolinën e kryetarit ishin porositur sërish pije. Pas kësaj, policët kishin shkuar më tutje, duke e paralajmëruar pronarin e lokalit, që nëse nuk mbyllet, menjëherë do të gjobitet.

Ngjarja nuk kishte përfunduar me kaq. Kryetari Gashi, sipas raportit policor, kishte shkuar në stacionin e policisë, e ku përshkruhet se kishte pasur ndërrim fjalësh në mes tij dhe policëve që e kishin mbyllur lokalin.

“Kush k*** je ti që po më maltreton mua, se tash ta thirri komandantin e statcionit dhe ministrin”, thuhet në raportin e Policisë, se iu është drejtuar Gashi njërit prej rreshterëve të policisë.

Tutje Gashi pretendohet se ka vazhduar diskutimin.

“Ti te koke shumë trim, çfarë provokimi po më bënë ti mu. Tash kom me ta thirr ministrinë edhe prej nesër ja unë ja ti në Obiliq se unë i kam marr 7 mijë e 500 vota e ti me më qit mu prej lokalit, a po donë matem masi koke kaq trim”, është thënë në raport se është shprehur Gashi.

Pas kësaj, në raport policor thuhet se vozitësi i tij, i ka dalë para kryetarit për të qetësuar situatën, ndërsa përgjigja e zyrtarit tjetër policor thuhet se ka qenë kjo: “Llargohu le të fletë kryetari se po matem, unë i kam 104 kilogram dhe kurrgjë personale nuk kemi me ju, përpos që e kemi zbatuar ligjin”.

Tutje në raport tregohet se pas kësaj ngjarje zyrtarë policorë kanë vlerësuar se nuk ka pasur nevojë të iniciohet ndonjë procedurë penale.

Që nga dita e premte, KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me Komunën e Obiliqit dhe me kryetarin e kësaj komune, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Një ngjarje të tillë e ka konfirmuar edhe komandanti i stacionit policor në Obiliq, Sejdi Zeqiri.

“Është largu nga lokali për shkak se e ka kaluar afatin prej 30 minutave”, ka thënë Zeqiri për KALLXO.com.

Ai tutje ka shtuar se nuk di cilat janë rezultatet e kësaj ngjarje pasi nuk është duke e hetuar drejtpërdrejtë këtë ngjarje.