Foto: KALLXO.com

Tensione në seancë mes të dëmtuarit dhe të akuzuarit për vrasje në tentativë

Me tensione është shoqëruar seanca në Gjykatën e Prishtinës e gjykimit të të pandehurit Diar Sfarqa, i akuzuar për vrasje në tentativë.

Në seancën e datës 06.08.2024 ka dëshmuar dëshmitari në cilësinë e të dëmtuarit, Shkelqim Baxhaku.

Situata u tensionua gjatë seancës në kohën kur i akuzuari Diar Sfarqa po i parashtronte pyetje të dëmtuarit Baxhaku.

Në një moment, ky i fundit, iu drejtua të akuzuarit: “Falë t’koftë ligji se n’tokë t’kisha shti”.

Ndërsa i akuzuari Sfarqa tha se: “Nuk i kanë dalë këtij me thikë qysh m’ke dalë ti mu”.

Tutje, i dëmtuari Baxhaku tha para Gjykatës se këtë punë ia ka lënë ligjit por të akuzuarit asnjëherë nuk ia fal.

“Por me këtë tendencë sot e 100 milionë vjet sa të jeton ky nuk është i faltë. Nuk ia fali, hiç nuk ia fali. Unë ia kam lënë në dorë gjyqit i nderum, mos u tut se nuk të bëj kurrgjë , ama sot e 100 milionë vjet nuk është i faltë” – tha i dëmtuari Shkelqim Baxhaku gjatë seancës.

Gjatë deklarimit të tij për ngjarjen, i dëmtuari tha se kishte qenë në parkun e Gërmisë duke luajtur me disa qen, ndërsa komunikimi i tij me të akuzuarin në vendin e ngjarjes ishte për shkak se i akuzuari 3 herë kishte qenë duke e shkelur me veturë.

Tutje, i dëmtuari shtoi se i njëjti kishte vazhduar provokimet 6-7 herë drejt veturës e cila ka qenë e shokut të tij.

Baxhaku tutje tregoi se ai ishte nisur që të shkonte në shtëpi, por gjatë rrugës me shokun e tij kishin marrë vendim që të ktheheshin prapë në parkun e Gërmisë.

Tutje i dëmtuari shtoi se me të hyrë në parkun e Gërmisë kishte dalë nga vetura për të biseduar me tanimë të akuzuarin por nuk kishte mundur të bisedonte pasi që kishte qenë errësirë.

“Kur jemi kthyer te rampa e Gërmisë aty kam dalë nga vetura dhe jam nisë në drejtim të veturës ‘Mercedes’ dhe u nisa drejt saj t’i them shoferit: “Ke tu na mbytë”, por nuk arrita të komunikoj me shoferin dhe nuk e kam parë kush ka qenë shoferi pasi ka qenë errësirë, pastaj kam dëgjuar kur shoferi i ‘Mercedesit’ e ka vendosur veturën ‘rikferc’ mbrapa”- shtoi i dëmtuari.

Tutje, i dëmtuari tha se i akuzuari e kishte goditur me veturë mbrapa shpinës dhe e kishte gjuajtur disa metra larg.

“E kam vërejtur kur drejtuesi i ‘Mercedesit’ e ka kthyer timonin në anën e djathtë mua më ka goditur mbas shpinës dhe më ka gjuajtur diku 5-6 metra larg”- tha Shkelqim Baxhaku.

I dëmtuari shtoi se edhe pasi vetura e kishte goditur dhe ai kishte qenë i shtrirë, vetura kishte kaluar mbi trupin e tij.

“Pastaj unë kam rënë në tokë, vetura ‘Mercedes’ ka vazhduar përpara dhe derisa unë isha i shtrirë në tokë dorën e majtë e kam pasur nën kokë dhe vetura ka ardhur më ka goditur prapë duke më shkelur, perkatësisht maskën e veturës e kam parë te koka dhe vetura më ka ecur përmbi trupin tim edhe ka ikur”- shtoi i dëmtuari për ngjarjen kritike.

Ndërsa i pyetur për të akuzuarin se a e kishre njohur më herët, i dëmtuari u përgjigj se Diar Sfarqën për herë të parë e kishte parë në gjykatë për këtë rast.

Prokurorja e rastit Bukurije Gjonbalaj tha se qëndron pranë fjalës hyrëse të datës 17.10.2019.

Edhe mbrojtësi i të dëmtuarit, Ali Kryeziu, dhe mbrojtësi i të akuzuarit, Haxhi Millaku, deklaruan se mbesin po ashtu pranë fjalës hyrëse të datës 17.10.2019.

Prokurorja Bukurije Gjonbalaj pasi lexoi aktakuzën, i akuzuari tha: “Dëshmoj me jetë se kjo nuk është e vërtetë, jam i pafajshëm”.

Gjonbalaj propozoi që dëshmitë e dëshmitarëve të lexohen.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, Haxhi Millaku, e kundërshtoi propozimin e prokurores, dhe i propozoi Gjykatës që sërish të dëgjohen dëshmitarët që kishin dhënë dëshminë pasi që ka disa kontradikta në dëshmitë e tyre. Këtë propozim të avokatit e mbështeti i akuzuari.

Trupi gjykues lidhur me këtë çështje mori aktvendim duke refuzuar propozimin e prokurores për leximin e dëshmive të dëshmitarëve, pasi që në këtë propozim nuk pajtohet i akuzuari dhe mbrojtësi  i tij, dhe shtoi se për t’u lexuar dëshmitë e tyre duhet të pajtohen të gjitha palët në procedurë.

Gjatë seancës avokatit Haxhi Mullaku iu tërhoq vërejtja nga trupi gjykues që të mos ndërhynte pa iu dhënë fjala, në të kundërtën do të pasojë dënimi.

Ndërsa në fillim të seancës krytari i trupi gjykues, Naser Foniqi, tha se gjykimi në këtë çështje penale fillon rishtazi.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së ngritur më 11.10.2018, Diar Sfarqa akuzohet se më 20.06.2018 rreth orës 23:30 te Parku i Gërmisë gjersa Shkëlqim Baxhaku ka qenë duke luajtur me disa qen, ishte sjellë 3 herë me veturë në vendin ku ishte duke luajtur me qen Shkelqim Baxhaku.

Prokuroria pretendon se derisa i pandehuri ishte duke u sjellë për të tretën herë, i dëmtuari Baxhaku ishte afruar te vetura e Sfarqës dhe i kishte thënë: “Çka u ba o burrë? Çka është problemi? A nuk po më sheh?”.

Tutje në aktakuzë thuhet që i pandehuri edhe pas kësaj edhe 6 herë sillet rreth vendit ku ishte Shkelqim Baxhaku, dhe i dëmtuari detyrohet të largohet nga aty.

Më tej përshkruhet se i pandehuri Sfarqa e rrit shpejtësinë e veturës dhe niset pas veturës ku ishte i dëmtuari, kështu që Baxhaku pas kësaj situate kthehet duke parë se çka është duke ndodhur dhe me të mbërrirë te Parku i Gërmisë niset drejt veturës së të pandehurit për të biseduar.

Në këto momente, Diar Sfarqa shkon mbrapa me veturë dhe kur i dëmtuari është kthyer me shpinë për të shkuar te vetura e tij, i akuzuari me qëllimin që ta privojë nga jeta Shkelqim Baxhakun me veturën e tij me shpejtësi të madhe e godet të njëjtin, kështu sipas Prokurorisë duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Sipas këtij përshkrimi, Prokuroria e Prishtinës po e ngarkon Diar Sfarqën me veprën penale – vrasje në tentativë.