Salla e asamblesë komunale të Podujevës | Foto: KALLXO.com

Tensione në Kuvendin Komunal të Podujevës

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me tensionet që kanë ndodhur sot në Kuvendin Komunal të Podujevës.

Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti në afërsi të objektit të komunës ka pasur një mosmarrëveshje, ku si pasojë e kësaj në stacionin policor janë shoqëruar dy persona që dyshohet të jenë përfshirë në rast.

Ahmeti tha se rasti është duke trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit.

“Rreth orës 11:00 jemi  informuar se ka një mosmarrëveshje në afërsi të objektit të  komunës së Podujevës. Njësia policore ka dal në vendngjarje ku për intervistim i ka shoqëruar në stacion policor dy persona të përfshirë në këtë ngjarje e cila është duke u trajtuar në koordinim me prokurorin e shtetit” – ka thënë Ahmeti.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka ndodhë diçka jashtë Komunës, mirëpo tha se seanca e sotme është bllokuar pasi Lidhja Demokratike e Kosovës.

“LDK ka bllokuar foltoren e kuvendit, më pas është ndërpre seanca. Jashtë komunës çka ka ndodhë nuk e di” – tha ai.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga ana e kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.

Mirëpo, për bllokim të seancës kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni ka dhënë një version tjetër.

Ai ka thënë se seanca është bllokuar pasi ka pas një konflikt fizik në mes asamblistëve të LVV-së.

“Ka pas konflikt fizik në mes asamblistëve të LVV-së, për këtë arsye është blloku seanca” – tha ai.

Tutje Hyseni ka thënë se gjatë seancës ka pas protestë edhe nga ana e asamblistëve të LDK-së.

Kjo pasi këta të fundit kanë kërkuar që të vendoset si pikë e rendit të ditës tema se pse, sipas Hysenit, ju kanë ndalë mëditjet asamblistëve pa bazë ligjore dhe njëkohësisht atyre Hyseni tha se nuk iu është dhënë asnjë lloj vendimi.