Tensione në KQZ, Daka: Jemi shndërruar në serialin Kasandra

Gjatë mbledhjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), janë shfaqur përsëri tensione në mes të kryesueses Valdete Daka dhe përfaqësuesve të Vetëvendosjes, Alim Rama dhe Sami Kurteshi.

 

 

 

 

Këtyre të fundit, Daka u është drejtuar duke u thënë ‘po doni me kontrollu çdo send’.

“Mos na mbaj ligjërata juridike. Nëse keni diçka kundër, mundeni me iu drejtu PZAP-së e Gjykatës Supreme. Mos bëni spektakle mediale, për votuesit nga mërgata, të cilit i keni helmu, duke i thënë se Valdete Daka dhe KQZ-ja po bëjnë gjithçka që ata mos me i marrë votat. Problemi është se ju doni me kontrollu çdo send”, ka thënë Daka.

Ndërsa ka reaguar Kurteshi, duke thënë se cilat janë veprimet, që synojnë kontrollin e KQZ-së.

“Zonja Daka duhet t’i tregoni publikut se cilat janë veprimet tona që janë si kontroll i KQZ-së. Ne po ngrisim çështje. Ky institucion nuk është më makinë votimi. Unë konsideroj se ju zonja kryesuese e keni monopolizuar këtë institucion. Keni bërë reagime në emër të KQZ-së”, tha Kurteshi.

Kurse Daka i është kundërpërgjigjur, duke thënë se çdo mbledhje kthehet në teatër për media.

“Çdo mbledhje është kthyer në teatër për media, jemi shndërruar në serialin Kasandra. Ne do u japim material gazetarëve të qeshin me ne. Personale është sepse juve po iu pengon Valdete Daka”, ka thënë ajo.