Foto: KALLXO.com
Tensione në gjykimin e vëllezërve Vllasaliu të akuzuar për vrasjen e Bedri Rexhepit, dëshmitarja pretendon se u ofendua jashtë seance nga familjari i viktimës
Gjykimi për rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit ka vazhduar me dëgjimin e motrës së të akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, Hanumshahe Rukovci, në cilësinë e dëshmitares.
Rukovci dëshminë e saj e kishte filluar më 09.07.2024 ndërsa sot e përfundoi.
Ajo dha versionin e saj lidhur me këtë rast.
Lidhur me natën kur Prokuroria pretendon se është vrarë Bedri Rexhepi, dëshmitarja ka treguar se ka qenë në shtëpinë e e vëllait të saj, Jetonit. Ajo tregoi se Jetoni kishte marrë një telefonatë nga dikush dhe kishte dalë nga shtëpia.
Rukovci tha se i pari i cili ishte arrestuar lidhur me këtë rast kishte qenë vëllai Jetoni, ndërsa vëllai Nexhati e kishte njoftuar për arrestimin e Jetonit.
Për këtë rast, Rukovci, duke konfirmuar pyetjet e parashtruara nga mbrojtësi i familjes Rexhepi, Besnik Berisha, tha se i ishte arrestuar edhe çika, për një telefonatë disasekondëshe mes saj dhe Jetonit.
“Gjoja se ni telefonatë e ka bo Jetoni te vajza, me sekonda ka qenë”- tha Rukovci.
Dëshmitarja në fillim të dëshmisë të dhënë sot tha se pasi ishte arrestuar Jetoni beson se dikush nga familja e kishte çuar dikë që të fliste me familjen e tani të ndjerit.
“Nashta edhe e kanë çu është diskutu edhe besoj qe e kanë çu, po m’vjen shumë keq për këtë rast, edhe ma shumë nuk di”- tha dëshmitarja.
Por kur dëshmitarja u ballafaqua nga gjyqtari, Gent Beka, se pse pas arrestimit të Jeton Vllasaliut kishte dëgjuar fjalë që dikush nga familja do të shkonte te familja Rexhepi për të folur, e njëjta u përgjigj se njerëzit që kanë shkuar te familja e të ndjerit nuk kishin shkuar për kërkim falje por për t’i shprehur ngushëllime.
“Jam tu u munu me shti në kry, por…, ma merr menja se llafin kërkim falja nuk muj me thanë, se ma herët e ceka, amo për me ju shpreh një ngushëllim apo me bo ndonjë bisedë”- tha dëshmitarja.
Por me t’u përgjigjur kësisoj, reagoi gjyqtarja Medie Bytyqi duke e pyetur se kur po thotë ngushëllim, a kishte qenë në dijeni se kur ishte arrestuar Jetoni Bedri Rexhepi veçse kishte qenë i vrarë.
“A keni qenë në dijeni se në momentin e arrestimit ai ka qenë i vrarë? Kur e keni thënë fjalën ngushëllim, te na fjala ngushëllim përdoret kur të vdes dikush…”- ishte pyetja e kryetares së trupit gjykues.
“S’po di qysh me t’u përgjigj, për rastin me ditë çka ka ndodhë. Jo ngushëllim por me shku me folë, rasti me ditë ku është, çka është, se as na s’jena kanë në dijeni”- tha tutje dëshmitarja.
Dëshmitarja tha se raportet me vëllezërit e saj janë të mira nga klasifikimi që i bëri anëtari i trupit gjykues mes: të mira, shumë të mira dhe raporte të shkëlqyera.
Tutje Rukovci tha se në natën kritike pak para se të shkonin për të fjetur, kur pretendohet se është vrarë Rexhepi, kishte pirë kafe me Jetonin dhe nuk kishte parë ndonjë shqetësim ose diçka të tillë tek ai. Njëjtë u deklarua edhe për vëllanë tjetër, Nexhatin, për të cilin tha se nuk e kishte pasur afër por nga distanca ishin përshëndetur,
Rukovci dy herë gjatë seancës kërkoi nga gjyqtarja Bytyqi që mediave t’u ndalohet publikimi i fytyrës, emri i saj dhe emri i vajzës.
Ndërsa me të përfunduar seanca e njëjta pasi doli nga salla e gjykimit u kthye në sallë duke i treguar prokurorit se ishte ofenduar nga njëri prej familjarëve të Bedri Rexhepit në korridorin e Gjykatës.
Pastaj dëshmitarja Nadire Gashi (e cila nuk u dëgjua në seancën e sotme), dhe një grua tjetër, e ulur në pjesën e publikut, hodhën fjalë në drejtim të monitoruesve. Kjo e fundit madje iu drejtua monitoruesve me fjalët: “Jua mbajmë n’men fytyrat”.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.