Tensione në konferencën e KQZ-së - VIDEO

Një situatë tensionuese ka qenë sot në konferencën për media të KQZ-së, në të cilën u tregua për mbarëvajtjen në zgjedhje në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Në fund të konferencës, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, pyeti gazetarët nëse kanë ndonjë pyetje, por fjalën deshi ta marrë anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi.

Më pas, kryetarja Daka nuk ia dha fjalën duke thënë se çështje të caktuara mund të diskutohen në mbledhje të KQZ-së, por jo në konferencë për media.

“Jo, pyta a kanë mediat [pyetje]. Ne nuk jemi në mbledhje, jemi në konferencë. Çështjet i ngrisim në mbledhje, jo në konferencë për media. Mundeni me u taku dhe me mbajt mbledhje nëse kemi nevojë”, tha Daka.

Mes polemikash, reagoi Kurteshi duke thënë se çështja ka të bëjë me letërnjoftimet e vlefshme.

“Ju mundeni me shku, ne po tregojmë çka është fjala. Votues nuk janë lejuar të votojnë për shkak se nuk kanë letërnjoftime të vlefshme. Është një vfendim i MPB-së se gjithë personat në Kosovë që nuk kanë letërnjoftime të vlefshme prej 1 janar 2020, mund të votojnë me letërnjoftime të skaduara në janar 2020, kaq. Ne si KQZ duhet me i njoftu mediat që njerëzit me i lanë me votu”, tha ai.

Kurse, Daka tha se KQZ-ja nuk ka marr vendim lidhur me këtë çështje.

“Të gjithë qytetarët e Komunës së Podujevës dhe Mitrovicës së që ju kanë skaduar letërnjoftimet kanë edhe dokumente tjera identifikimi dhe ne për këtë çështje kemi diskutuar por nuk kemi marr vendim. Vendimet e KQZ-së nuk merren ditën e zgjedhjeve, por para ditës zgjedhjeve”, tha ajo, duke lutur që të mos krijohen situata të pakëndshme.

Në polemika me Kurteshin janë përfshirë edhe anëtarë tjerë të KQZ-së, edhe sa i përket veturave teë MPB-së që i janë vënë në shërbim sot KQZ-së për zgjedhjet në Podujevë.