Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tenderi për tabletë përsëri në rivlerësim, MASh injoroi vendimin paraprak të OShP-së

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik e ka kthyer përsëri në rivlerësim tenderin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për blerjen e 5 mijë tabletëve, furnizim për digjitalizimin e shkollave me pajisje të shërbimeve online për shkollat e të verbërve.

Gjykata e tenderëve në vendimin e marrë më 10 dhjetor, e ka marrë si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “Botek Sh.P.K” duke kërkuar që të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës për këtë aktivitet të prokurimit.

Ky tender ka qenë edhe më herët në gjykatën e tenderëve dhe OShP kishte rekomanduar që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të bëjë rivlerësimin e tenderit.

Ministria më pas më 30 tetor 2020 kishte rekomanduar njësoj sikurse në muajin shtator, që për lotin e parë, përkatësisht për blerjen e 5,000 tabletëve e ka rekomanduar për kontratë konsorciumin “Infosoft Systems” & “FutureBITS”, të cilët kishin ofertuar me çmimin prej 1,139,400 euro duke eliminuar nga gara dy kompanitë më të lira, “Ilir Kosova” dhe “Botek Sh.P.K” që kishin ofertuar për rreth 300 mijë euro më lirë.

Pasi ministria e ka bërë rivlerësimin, operatori ekonomik “Botek Sh.P.K” është ankuar në MASh, të cilët e kanë marrë si të pabazuar ankesën e operatorit dhe kjo e fundit ka bërë përsëri ankesë tek OShP-ja.

Vendimi i OShP

Gjykata e tenderëve në vendimin e saj të marrë, më 9 dhjetor të këtij viti ka deklaruar se ka kërkuar mendimin e ekspertit shqyrtues dhe këta të fundit kanë kërkuar që ankesa e operatorit ekonomik “Botek Sh.P.K”, të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe lënda të rikthehet në rivlerësim.

OShP ka bërë të ditur se edhe MASh edhe kompaninë “Botek” i ka njoftuar me raportin e ekspertizës dhe se MASh nuk ka kthyer përgjigje dhe operatori ekonomik është pajtuar me mendimin e ekspertit shqyrtues.

OShP në vendimin e saj konstaton se Ministria e Arsimit nuk e ka respektuar vendimin e datës 22 tetorit.

“Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, pretendimeve ankimore dhe sqarimet e ekspertit shqyrtues/teknik, vjen në përfundim se Autoriteti Kontraktues nuk ka vepruar tërësisht në përputhje me vendimin e Panelit Shqyrtues të datës 22 tetor dhe udhëzimet e këtij vendimi nuk janë aplikuar plotësisht nga AK”, thuhet në vendimin e tyre.

Tutje OShP thotë se për shkak të mos zbatimit në tërësi të vendimit paraprak, MASh ka rezultuar se nuk e ka bërë ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve në harmoni me nenin 59 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe nuk e ka pasur parasysh nenin 1 dhe 6 të LPP-së.

“Andaj, obligohet që Autoriteti Kontraktues të zbatoj vendimet e Panelit Shqyrtues në përpikëri dhe të bëjë ekzaminimin dhe vlerësimin e tenderëve në harmoni me nenin 59 të LPP-së”, ka bërë të ditur OShP.

Në fund, Paneli Shqyrtues i ka sqaruar Ministrisë së Arsimit se qëllimi i ligjit është që fondet publike duhet të përdoren në mënyrë ekonomike dhe se oferta e operatorit ekonomik “Botek Sh.P.K” është dukshëm më e lirë.

“Autoriteti Kontraktues duhet ta ketë parasysh edhe nenin 6 me qëllim të arritjes së ekonomicitetit dhe efikasitetit. Përderisa, tenderi i operatorit ekonomik ankues është me çmim dukshëm më të lirë, atëherë AK duhet ta zbatojë në përpikëri nenin 1 dhe 6 të LPP-së, në të kundërtën e obligon Panelin Shqyrtues që të merr masa konform dispozitave të LPP-së”, është theksuar në fund.

Operatori ekonomik “Botek Sh.P.K” në ankesën e dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit ka thënë se MASh me rastin e ri-vlerësimit të tenderit nuk ka vepruar në pajtim me vendimin e OShP-së të datës 22 tetor.

“Ministria e Arsimit është i përcaktuar paraprakisht për OE të rekomanduar për kontratë dhe ka bërë vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje esenciale të dispozitave të LPP-së dhe vendimit të OShP”, thuhet në ankesën e tyre drejtuar panelit të OShP-së.

Operatori ka kërkuar nga OShP që ta detyroj MASh që ta respektoj vendimin për rivlerësim dhe ta anulojë vendimin e datës 30 tetor 2020, vendim ky që kishte shpallur përsëri fitues konsorciumin me ofertën më të shtrenjtë.

“MASh me eliminimin tonë ka shkelur nenin 1, nenin 6, nenin 52, nenin 56.3 të LPP-së”, thuhet më tej në aneksen e tyre.

Historiku i tenderit

Ky tender nga ana e Ministrisë, për lotin e parë, përkatësisht për blerjen e 5,000 tabletëve e kishte rekomanduar për kontratë konsorciumin “Infosoft Systems” & “FutureBITS”, të cilët kishin ofruartuar me çmimin prej 1,139,400 euro, ndërsa i kishte eliminuar nga gara dy operatorë të tjerë që kishin ofertuar përreth 300 mijë euro më lirë.

Pra, ministria e kishte rekomanduar për kontratë operatorin që ka ofertuar 227 euro për një tablet me 10.1 inch,

Operatori ekonomik “Ilir-Kosova” kishte ofruar 820,880 euro, ndërsa “Botek” kishte ofertuar 823,500 euro.

Gjykata e tenderëve e kthen në rivlerësim tenderin e MASh për blerjen e 5 mijë tabletëve