Foto: KALLXO.com

Tenderi për inventar e ul sërish në bankën e të akuzuarit ish-kryetarin e Komunës së Kllokotit

Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i Komunës së Kllokotit, tani nënkryetar, dhe Elbasan Alidema, Beqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq janë ulur në bankën e të akuzuarve për t`u ballafaquar me aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare,

Aktakuza ka të bëjë me një tender për pajisjen me inventar të Komunës së Kllokotit.

Shqyrtimi i sotëm nisi nga fillimi pasi që për shkak të pandemisë, nga seanca e parë kishin kaluar më shumë se tre muaj. Andaj Gjykata i konsideroi të lexuara deshmitë e dëshmitarëve të dhëna në seancat e kaluara gjyqësore.

Në seancë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, duke konsideruar se nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Tutje në seancë u dëgjua eksperti financiar Ibrahim Tahiri, i cili tha se mbetet pranë ekspertizës së tij të dorëzuar në shkresat e lëndës.

“Qëndroj pranë ekspertizës financiare të cilën e kam dorëzuar në Gjykatë. Në ekspertizën e parë dëmi i shkaktuar nga lidhja e kontratës në mes Komunës së Kllokotit dhe ndërmarrjes “Metali”, e kam bazuar në ligj. Në kohën kur e kam punuar ekspertizën nuk më kujtohet se në aneks-kontratë të kem vërejtur se është paraparë që inventari të sillet në Komunë pas përfundimit  të punimeve të objektit të ri të Komunës”, tha eksperti Tahiri.

Tutje ai tha se ka qenë në objektin e Komunës dhe e ka parë inventarin e sjellë në Komunë dhe se aty është pritur nga ish-kryetari, tani i akuzuar Sasha Mirkoviq.

Në fund, të akuzuarit e dhanë mbrojtjen e tyre duke pretenduar se nuk e kanë kryer veprën penale me të cilën ata akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit.

Pas përfundimit të orarit të punës, fjala përfundimtare do të jepet më 26 nëntor.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Sasha Mirkoviq në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kllokotit ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e ka ditur se inventari i destinuar për objektin e Komunës nuk ka arritur në objekt të Komunës dhe në mënyrë kundërligjore ka formuar komisionin komunal për pranim të atij inventari.

Tutje i akuzuari ka tubuar anëtarët e komisionit dhe i ka detyruar të hartojnë një raport kinse inventari ka arritur në Komunë.

Ndërsa Zeqir Selimi, Nebahate Pira dhe Strahinja Steviq akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën, apo autoritetin e tyre zyrtar, duke hartuar një raport që kinse inventari i destinuar ka arritur në objektin e Komunës edhe pse e kanë ditur se porosia e njëjtë nuk ka arritur fare.

Prokuroria e Gjilanit akuzon edhe Elbasan Alidemën.

Sipas aktakuzës, Alidema ka keqpërdorur pozitën e tij duke qenë pronar i kompanisë “Metali”, edhe pse nuk e ka dërguar fare inventarin në Komunë ka përpiluar faturë kinse në tërësi është përmbushur kontrata.

Aktakuza sqaron se Ministria e Pushtetit Lokal të akuzuarit Alidema i kishte paguar shumën prej 29,330 euro.

Kujtojmë se të akuzuarit ishin liruar nga akuzat por rasti është kthyer në rigjykim nga Apeli më 18.10.2019 për shkak të shkeljeve procedurale.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.