Tenderi mbi 5 milionësh i Pal Lekajt denoncohet në Prokurorinë Speciale

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale një dosje që lidhet me një kontratë të nënshkruar në kohën e qeverisjes së Pal Lekajt.

Durmishi ka thënë se dosja ka të bëjë me kontratën “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës për vitet 2017-2019”.

Sipas tij, kjo kontratë e nënshkruar në mars të vitit 2018, sa ishte ministër Pal Lekaj, kishte vlerë të përcaktuar 500 mijë euro, kurse në fund përfundoi me vlerën 5 milionë e 300 mijë euro.

Durmishi po pretendon se bëhet fjalë për një zhvatje të hapur dhe brutale të buxhetit.

“Pas hapjes së ofertave, vlerësimit të tyre, derisa në të gjitha dokumentet zyrtare të publikuara vlera e parashikuar ishte 500 mijë euro, në kontratën e nënshkruar, te kushtet e përgjithshme të kontratës, ndërhyhet dhe ndryshohet në mënyrë të kundërligjshme neni 24, paragrafi 24.1 me ç’rast i gjithë buxheti i paraparë për ndërtimin dhe rikonstruimin e urave në tërë territorin e Kosovës në shumë prej 4 milionë e 352 mijë e 22 euro vendoset në këtë kontratë që është në kundërshtim me ligjin,” tha Durimishi para mediave.

“Pozicioni 5.1 në të cilën parashihej gërryerja dhe pastrimi i betonit të degraduar ishin të parapara 350 metra katror me çmim 5 euro për metër katror, në fund arrinë në 103811 metër katror apo në vlerë monetare 519058 euro. Pozicioni 5.4 në të cilën parashihej lyerja e shtyllave të urës që ishin të parapara 450 metra katror me çmim 10 euro për metër katror që në total do të kushtonte 4500 euro, në fund ka përfunduar me rritje të sasisë në 103812 metra katror apo në vlerë 1038124 euro”, tha tutje zëvendëministri Hyseni.

KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë nga ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, por ai nuk ka qenë i qasshëm në telefon.