Tenderi i Policisë për uniforma operacionale shkon në OShP

Tenderi i Policisë së Kosovës për ‘Furnizim me uniforma operacionale’ shkon për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Kompania “A & V Collection” (Sabit Maliqi BI) është ankuar  në Gjykatën e Tenderëve pasi pretendon se është larguar pa të drejtë nga gara për këtë tender që ka një vlerë rreth gjysmë milioni euro.

Ata pretendojnë se janë eliminuar nga gara vetëm për faktin që janë ankuar në vendimin e parë për dyshimet e ngritura për falsifikim.

“Kompania jonë në vlerësimin e parë jemi kualifikuar si operator ekonomik i pasuksesshëm, lindë pyetja se si në herën e parë të vlerësimit jemi si OE i Pasuksesshëm e në ri-vlerësimin e dytë jemi shpallur si OE i Eliminuar”, ka shkruajtur kompania në ankesën e tyre.

Tutje kompania pretendon se komisioni vlerësues në mënyrë të gabuar ka konstatuar mostrat e dorëzuara nga ta nuk janë të prodhuara nga prodhuesi i Turqisë.

“Kërkojmë nga eksperti i OSHP dhe Paneli i OSHP-së që vetë t’i vërtetoni dhe ta pyesni prodhuesin apo edhe të shkoni të vizitoni në fabrikë se a janë mostrat të prodhuar në Turqi”, thuhet në ankesën e kompanisë.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës pretendon se kompania në fjalë ka dorëzuar mostra që janë prodhuar në Slloveni dhe jo siç thotë dokumenti në Turqi.

Për këtë tender fillimisht është rekomanduar për kontratë grupit të operatorëve ekonomikë BE NEW LLC dhe ARTA TEX GROUP SHPK të cilët kishin aplikuar me 453 mijë e 750 euro.

Bashkë me këta operatorë që u ishte dhënë tenderi, kishin aplikuar edhe Sabit Maliqi BI me 499 mijë e 500 euro, Sodex Group me 573 mijë e 600 euro si dhe grupi i operatorëve ekonomikë EXIM JATEX SHPK dhe Medikos Pharma SHPK me 615 mijë euro.

Kundër vendimit për dhënie të kontratës ishte ankuar kompania “A & V Collection” (Sabit Maliqi BI). Policia e Kosovës e kishte miratuar ankesën e kompanisë “A & V Collection” (Sabit Maliqi BI) dhe kishte vendosur që tenderin të kthejnë në rivlerësim. Pas rivlerësimit, Policia e Kosovës ka vendosur që të anulojë në tërësi këtë proces të prokurimit. Tash kompania A & V Collection” (Sabit Maliqi BI) është ankuar në OSHP kundër anulimit të procesit të prokurimit.