Tenderi i kurdisur i Komunës së Pejës për bizneset e Ramiz Kelmendit, VV në Pejë kërkon të nis hetimet Prokuroria

Dje gjatë ditës, KALLXO.com raportoi mbi tenderin që Komuna e Pejës kurdisi ndaj familjes së ish-deputeti të LDK-së dhe biznesmenit nga Peja, Ramiz Kelmendi.

Procedura nga zyra e Prokurimit në këtë komunë ishte e mbyllur ndërsa ishin ftuar vetëm tri kompani që të ofertonin për tenderin ku do të ndihmonin familjet në nevojë në kohën e pandemisë së COVID-19.

Por, hulumtimi zbulon se zyrtarët e prokurimit kishin përzgjedhur tri kompani të familjes Kelmendi.

E pas raportimit, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, dega në Pejë. Kjo parti ka kërkuar që ndaj rastit të nisin edhe hetimet nga Prokuroria.

“Autoriteti kontraktues, Komuna e Pejës ka kurdisur tenderin për furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet në nevojë me rastin e shfaqjes së Pandemisë Covid-19. Nga tri kompanitë e Ramiz Kelmendit (Express Store, Elkos, Egi Group) që kanë aplikuar të vetme në këtë tender ka fituar Express Store me çmimin 99,742.50 Euro”, thuhet në reagim.

“Presim nga Prokuroria që të fillojë hetimet për këtë rast”, thuhet tutje në njfotim.

Ky është reagimi i plotë i LVV-së, dega në Pejë:

Gazmend Muhaxheri i shërben interesave të bizneseve të mëdha dhe është mospërfillës i bizneseve të vogla dhe të mesme.

Qeverisja e Komunës së Pejës dhe kryetari Gazmend Muhaxheri përveç shërbimit dhe favoreve të vazhdueshme për pronarët e bizneseve të mëdha ka shfrytëzuar edhe situatën e krijuar me pandeminë COVID-19 për të kryer transfere të parave të taksapaguesve në llogari të kompanive të Ramiz Kelmendit.

Autoriteti kontraktues, Komuna e Pejës ka kurdisur tenderin për furnizim me artikuj ushqimor të domosdoshëm për familjet në nevojë me rastin e shfaqjes së Pandemisë Covid-19. Nga tri kompanitë e Ramiz Kelmendit (Express Store, Elkos, Egi Group) që kanë aplikuar të vetme në këtë tender ka fituar Express Store me çmimin 99,742.50 Euro.

Presim nga Prokuroria që të fillojë hetimet për këtë rast.

Është skandaloze kjo qasje; paratë e taksapaguesve të shkojnë në xhepat e oligarkëve përmes tenderëve të kurdisur në emër të ndihmës për familjet në gjendje të rëndë ekonomike.

Ndërkohë dëmet ekonomike që pandemia po i shkakton bizneseve të vogla dhe të mesme dhe qytetarëve të Komunës së Pejës nuk janë shqetësimi i Gazmend Muhaxherit.