Arkiv
Temperaturat e larta, ekipi i urgjencës së Kryeqytetit vendoset në shesh
Si shkak i temperaturave të larta që po mbizotërojnë në vend, ekipi i urgjencës së Kryeqytetit do të jenë në sheshin e Prishtinës për të qenë më afër qytetarëve.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, i cili po ashtu bëri thirrje për kujdes në këto temperatura të larta.
“Për shkak të temperaturave të larta ekipi i urgjencës së kryeqytetit do të jetë në sheshin e Prishtinës për të qenë më afër qytetarëve të saj.Kujdes nga temperaturat e larta”- shkroi Sadiku në Facebook më 13.07.2024.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu në vazhdimësi ka bërë thirrje për kujdes nga daljet gjatë këtyre ditëve, derisa më 12.07.2024 mori vendim për kufizim të orarit të punës në disa sektore nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024.
Në kuadër të këtij vendimi të MSh-së, thuhet që në sektorin e ndërtimit të ndalet puna nga ora 11:00 deri në ora 17:00 në të gjithë Republikën e Kosovës. Ndërsa qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë e gratë shtatzëna të lirohen nga puna.
Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë është nxjerrë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve për shkak të temperaturave të larta.
Ndërsa më poshtë gjeni rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës:
Çfarë veprimesh duhet të ndërmerren për t’u mbrojtur nga nxehtësia?
Qëndroni larg të nxehtit
- Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.
- Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10-15 ˚C më të larta.
- Kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët. Jini të vetëdijshëm për rrezikun.
- Qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta.
Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët
- Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme.
- Gjatë ditës kur temperaturat e jashtme janë më të larta se ato të brendshme, mbyllni dritaret dhe mbulojini ato me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit të hyjnë drejtpërdrejt brenda. Fikni sa më shumë pajisje elektrike.
- Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperaturat janë nën 40 ˚C.
- Nëse përdorni ajër të kondicionuar, vendosni termostatin në 27 ˚C dhe ndizni një ventilator elektrik – kjo do ta bëjë dhomën të ndjehet 4 ˚C më e ftohtë . Gjithashtu mund të kursejë deri në 70% në faturën tuaj të energjisë elektrike për ftohje.
- Mos harroni se mund të jetë më freskët jashtë në hije.
Mbajeni trupin tuaj të freskët dhe të hidratuar
- Përdorni veshje të lehta dhe të lirshme, kryesisht nga pambuku.
- Bëni dush ose banjë të freskëta.
- Lagni lëkurën tuaj duke përdorur një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lehta të lagura.
- Pini ujë rregullisht (1 gotë ujë në orë dhe të paktën 2-3 litra në ditë).
- Kontaktoni rregullisht me njerëzit e pambrojtur në rrethin tuaj – veçanërisht njerëzit mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje të zemrës, mushkërive ose veshkave, me paaftësi dhe që jetojnë vetëm.
Mbroni foshnjat dhe fëmijët
- Asnjëherë mos i lini fëmijët ose kafshët në automjete të parkuara për asnjë kohë, pasi temperaturat mund të rriten shpejt në mënyrë të rrezikshme.
- Shmangni ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve të pikut (11:00-17:00), duke kërkuar hije ose duke qëndruar brenda. Hija mund të zvogëlojë nxehtësinë që ndjeni me më shumë se 10°C.
- Mos e mbuloni kurrë një karrocë / karrocë fëmijësh me pëlhurë të thatë – kjo e bën atë më të nxehtë brenda karrocës. Në vend të kësaj, përdorni një leckë të lagur, të hollë dhe lagni sërish sipas nevojës për të ulur temperaturën.
- Vishni fëmijët me veshje të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën e tyre dhe përdorni kapele me buzë të gjera, syze dielli dhe krem mbrojtës për t’i mbrojtur ata nga rrezet e diellit.
- Ndiqni udhëzimet për ta mbajtur shtëpinë tuaj të freskët për të mbajtur një temperaturë të sigurt të brendshme.
Instituti Hidrometeorologjik ju bën apel qytetarëve që të kenë kujdes kontaktit direkt me rrezet e diellit.
IHMK këshillon personat me sëmundje kronike t’iu shmangen këtyre rrezeve, ose të bartin masa mbrojtëse, syze kapelë, rroba me ngjyra të lehta.
Më tej, Instituti kërkon që edhe pjesëmarrësit në komunikacion të kenë kujdes të veçantë, sepse ky mot me vapë shkakton shqetësime, dobëson reflekset e ngasjes, gjithashtu në raste të veçanta mund të humbin edhe kontrollin.
Konsumimi i shpeshtë i ujit të freskët është i këshillueshëm.