Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Temat që u biseduan në Bruksel

Të pagjeturit, moslejimi i vizitës së Petar Petkoviqit, marrëveshjet për energji dhe targat e veturave me Serbinë janë disa nga temat e diskutuara në Bruksel gjatë takimeve që ka zhvilluar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë Kurti.

Bislimi tha se të pagjeturit janë tema e vetme që ka pasur dakordim në takim trilaterial që ka zhvilluar edhe me përfaqësuesin e palës serbe, pasi që janë njoftuar se kanë identifikuar shtatë persona në Kizhevak të Serbisë.

“Të pagjeturit janë tema e vetme që kemi pasur dakordim për ta trajtuar edhe në takimin trilateral. Në takimin trilateral ne jemi njoftuar që nga lokacioni në Kizhevak, Instituti i Mjekësisë në Beograd ka arritur t’i identifikojë emrat e 7 personave”, tha ai.

“Është shtruar tema e moslejimit të vizitës së Petkoviq të shtunën e kaluar, ne kemi deklaruar se Petkoviq ka marrë pjesë në ndërtimin e objektit ilegal dhe ka përdorur deklarta nxitëse. Rrjedhimisht nëse nuk përmirësohet situata në teren nuk do t’i lejohet vizita”, vazhdoi Bislimi.

Në muajin qershor të këtij viti, në Bruksel kanë filluar takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti kishte paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre.

Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.