Foto: REL/AFP

Temat që do të zhvillohen për dy ditë në Bruksel mes delegacioneve Kosovë - Serbi

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen në Bruksel më 7 dhe 8 shtator, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu.

Kryeziu tha se në takim do të jetë pjesë zëvendëskryeministri i Kosovës Besik Bislimi dhe se temat që do të zhvillohen janë ato për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë, ajo e tabelave të veturave, si dhe çështja e të zhdukurve me forcë.

“Takimet bilaterale dhe trelaterale të radhës në kuadër të procesit të dialogut, në të cilat do të marrë pjesë zv.kryeministri Bislimi priten të mbahen nesër dhe pasnesër, pra 7 dhe 8 shtator. Në takimin bilateral do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe për çështjen e të zhdukurve me forcë. Kurse në atë trelateral, presim që të diskutojmë vetëm për çështjen të zhdukurve me force, si e vetmja temë për të cilën jemi dakorduar”, tha Kryeziu.

Në muajin qershor të këtij viti, në Bruksel kanë filluar takimet e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur para më shumë se 10 vitesh, ndërkaq më 15 qershor, për herë të parë sy më sy janë takuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ku kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në takimin e 15 qershorit, Kurti kishte paraqitur katër propozime, por pala serbe nuk e ka pranuar asnjë prej tyre. Një prej propozimeve ishte edhe nënshkrimi i marrëveshjes paqësore mes këtyre dy vendeve, që të mos sulmojnë njëra-tjetrën.

Në takimin e parë Kurti ka kërkuar po ashtu nga pala serbe që të deklarohet se kur do të njohë pavarësinë e Kosovës. Vuçiq më pas, para gazetarëve kishte thënë se Serbia “nuk do ta njohë kurrë Kosovën”. 

Më pas është mbajtur edhe një takim mes udhëheqësve të delegacioneve për dialog – Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviq, por as ky takim nuk ka shënuar ndonjë lëvizje serioze përpara.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar edhe më 19 korrik. Të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë janë diskutuar edhe në takimin e 19 korrikut.