Varri i Edina Ahmetaseviq, e cila u vra në masakrën e Tuzlës në vitin 1995. Foto: BIRN

Televizioni serb i Bosnjës gjobitet për raportim të rremë mbi masakrën

Autoriteti i komunikimit i Bosnjes dhe Hercegovinës gjobiti televizionin publik serb të Bosnjës me 6,125 euro për transmetimin e një raportimi të rremë në lidhje me sulmet me granata në 1995 të qytetit të Tuzlës, ku mbetën të vrarë 71 persona.

 

Agjencia Rregullatore e Komunikimit të premten i vendosi një gjobë prej 12,000 markash boshnjake (6,125 euro) Radio Televizionit të Republikës Srpska, RTRS, për një shkelje të rregullave të “drejtësisë dhe paanshmërisë” duke transmetuar një raport që përmbante pretendime të rreme për masakrën e Tuzlës 1995.

Radio Televizioni i Republikës Srpska, transmetuesi publik në entitetin me shumicë serbe në Bosnje, Republika Srpska, transmetoi një raport në maj të këtij viti i cili përmbante pretendime se viktimat vdiqën sepse një bombë ishte vendosur në Tuzla nga boshnjakët dhe se ata nuk u vranë nga një predhë e shkrepur nga forcat serbe të Bosnjës siç e kanë vendosur gjykatat.

Raporti gjithashtu pohoi se Novak Gjukiq, komandanti i kohës së luftës i Grupit Taktik Ozreni të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili u dënua për urdhërimin e sulmeve që vrau 71 persona, ishte i pafajshëm.

Sinan Aliq i Fondacionit E Vërteta, Drejtësia dhe Pajtimi nga Tuzla, i cili paraqiti një ankesë te rregullatori i transmetimeve televizive në lidhje me raportin e RTRS, tha se vendimi konfirmoi që televizioni serb i Bosnjës ishte përgjegjës për “një shkelje flagrante të standardeve profesionale”.

“RTRS ka vite që e bën vazhdimisht këtë gjë. Ata ndryshojnë dhe falsifikojnë historinë, duke u thelluar plagët prindërve të fëmijëve të vrarë dhe të mbijetuarve të Tuzlës”, tha Aliq për BIRN.

Dino Kalesiq, babai i Sandro Kalesiq, djalit dy vjeç e gjysmë që ishte viktima më e re e masakrës së 1995, tha se ai e mirëpriti vendimin.

“Agjencia Rregullatore e Komunikimit duhet të bëjë një analizë shumë më të thellë të punës dhe raportimit të tyre, jo vetëm në lidhje me Tuzlën, por edhe krime të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë, të cilat ekipi redaktues i RTRS gjithmonë i paraqet duke përdorur histori dhe fakte të rreme që janë rregulluar pa moral ose ndërgjegje njerëzore”, tha Kalesiq për BIRN.

“Sepse, më besoni, nuk është e lehtë për babanë e një fëmije të vrarë dy e gjysmë të shikojë dikë në RTRS që pretendon se ne i kemi vrarë vetë fëmijët tanë”, shtoi ai.

RTRS nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BIRN për një koment mbi vendimin.

Deri më tani, gjenerali serb i Bosnjës, Novak Gjukiq është i vetmi person që është dënuar për masakrën e Tuzlës, por ai ende nuk e ka vuajtur dënimin e tij sepse u arratis në Serbi.

Autoritetet boshnjake i kanë kërkuar vazhdimisht Serbisë të zbatojë vendimin dhe ta detyrojë të arratisurin Gjukiq të vuajë dënimin e tij atje, por gjykata e Beogradit ende nuk ka dhënë ndonjë vendim. Seancat dëgjimore në këtë çështje janë shtyrë disa herë.