Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Telekomit i zhbllokohen xhirollogaritë, arrihet marrëveshje me ATK-në për borxhin milionësh

Telekomi i Kosovës pritet të kryejë një pagesë mbi 2 milionë euro me këste ndaj Administratës Tatimore të Kosovës derisa shqetësime janë shprehur për stabilitetin financiar të ndërmarrjes.

Për një javë të plotë, xhirollogaritë bankare të Telekomit të Kosovës ishin të bllokuara. Kjo për shkak të borxhit që kjo ndërmarrje publike e kishte akumuluar ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Gjatë bllokimit të xhirollogarisë, ATK kishte marrë nga Telekomi rreth 600 mijë euro.

Bllokimi vazhdoi derisa mbrëmë u arrit një marrëveshje që pagesa e mbetur të paguhet me këste në 12 muajt e ardhshëm.

Zhbllokimin e llogarive e ka konfirmuar për KALLXO.com, Bedri Istrefi, kryeshef i Telekomit të Kosovës.

“Po janë zhbllokuar llogaritë, dje kemi bërë marrëveshje me ATK-në për 12 këste pagesa dhe jemi marrë vesh me e kry obligimin financiar karshi marrëveshjes dhe ne si Telekom jemi zotuar dhe i rrimë prapa zotimit që e përballojmë një pagesë me këste 12 mujorëshe.  Kalon mbi 2 milionë borxhi, mbi 600 mijë euro i kanë marrë dhe do t’i marrin 2 milionë me këste”

Istrefi ka treguar edhe arsyet e grumbullimit të këtij borxhi që solli deri te kriza e bllokimit të xhirollogarive.

“Na edhepse jemi kanë në vonesë na kemi dhënë një arsyeshmëri se na duhet për shkak të emergjencës për mos mu rreziku rënia e shërbimeve, kemi bërë marrëveshje me një operator ndërkombëtar që çdo muaj me bo pagesa karshi tyre, na u rrezikojshim me rënie të shërbimeve, pasi shteti nuk na përkrahi me subvencion ose diçka tjetër, na u detyrum ndoshta me i rreziku edhe pagat tona”, tha Istrefi.

Sipas Istrefit, ATK e ka bërë bllokimin e llogarive në një moment kritik që rrezikoi pagat e punëtorëve.

“Na edhepse u kanë momenti ma i keq i mundshëm, një javë para përfundimit të mujit, na jemi duke punu shumë me I inkasu borxhet e vjetra, planifikojmë që në kohë të caktume me I bo pagat. Ne jemi duke punu që të mos ketë vonesa në paga, mund të jetë 1 ditë deri në 2 po jemi brenda ligjit dhe besoj që para datës 5 jemi gati”, tha Istrefi.

Shqetësim për vonesa në paga ka shprehur edhe Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Muhamet Xhemajli.

Ai ka kritikuar ATK-në për qasjen ndaj Telekomit.

“Unë besoj që kishte me qenë korrekte nga ATK …u kanë e drejtë edhe mos me i blloku llogaritë por me hy në negociata se është e paraparë edhe me ligj, unë e shoh fajtor ATK-në se ne gjithmonë e kemi paguar tatimin. U kanë jo fer”, tha Xhemajli

Ai shtoi se vonesat eventuale në paga janë të rënda për punëtorët e kësaj ndërmarrje.

“85 për qind e punëtorëve këtu janë në kredi, i qet të gjithë në pozicion keq. Besoj që çdo punëtor ndihet i shqetësuar, nuk kemi pasur paralajmërim për vonesa të pagave unë jam i sigurt që menaxhmenti ka arritur t’i sigurojë pagat”, përfundoi ai.

Telekomi i Kosovës ka vite që është në gjendje të rëndë financiare.

Këtë vit, kjo ndërmarrje rrezikonte falimentimin për shkak të paralajmërimeve për përmbarim të borxhit mbi 26 milionës ndaj kompanisë Z Mobile.

Fundi i kontratës 10 vjeçare me Z-Mobile