Ndarja e Z-Mobile dhe Telekomi i Kosovës Grafika: Krenar Ferizi

Telekomi shpenzon 630 mijë euro për t'u mbrojtur nga padia e Z-Mobile

Telekomi i Kosovës do të shpenzojë të paktën 630 mijë euro për avokatë për tu mbrojtur në arbitrazh pas padisë së bërë nga ‘Dardafon.net L.L.C.’ për çështjen e “Z-Mobile”.

“Dardafon.net L.L.C.”, pronë e Blerim Devollit, bazuar në dokumentet e publikuara nga Telekomi i Kosovës, ka kërkuar një kompensim prej 15 milionë dollarë amerikanë nga Telekomi.

Telekomi i Kosovës ka angazhuar kompaninë “Hogan Lovells (Paris) LLP” me seli në Francë për 630 mijë euro për tu mbrojtur në Arbitrazh.

Kjo nuk është kosto finale, pasi në kontratën e publikuar nga Telekomi i Kosovës, kosto mund të rritet edhe për 20% në vartësi të vendimit final të Arbitrazhit. Në rast se Telekomi i Kosovës paguan 0-25% të shumës së kërkuar nga Z-Mobile që është 15 milionë dollarë, atëherë Telekomi obligohet të paguaj një shtesë prej 20% të totalit të kontratës, apo 126 mijë euro.

Nëse Telekomi i Kosovës e fiton arbitrazhin, atëherë i bie të paguajë 756 mijë euro vetëm për avokatë.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka thënë për KALLXO.com se kompania “Hogan Lovells (Paris) LLP” është angazhuar për përfaqësim në Arbitrazh ndaj Z-Mobile.

“Është për arbitrazhin e fundit që na ka dërgu Z-Mobile, që nuk e kemi vazhdu bashkëpunimin më tutje”, ka deklaruar Istrefi për KALLXO.com.

Istrefi ka shtuar se kompania “Hogan Lovells (Paris) LLP” është një ndër kompanitë më të forta në botë për mbrojtje në Arbitrazh ndërkombëtar.

“Kompania e përzgjedhur është një ndër 10 kompanitë më të forta në botë në mbrojtje në Arbitrazh. Shpresoj që me argumentet që i kemi Telekomi të dal kësaj radhe fitimtar. Për detaje të tjera jam i rezervuar për shkak të rastit”, ka theksuar kryeshefi Istrefi.

Kjo është hera e dytë që “Z-Mobile” e dërgon Telekomin e Kosovës në Arbitrazh.

Herën e parë, Arbitrazhi i kishte dhënë të drejtë “Z-Mobile”, duke e obliguar Telekomin e Kosovës t’ia paguajë rreth 26 milionë euro kompanisë së Blerim Devollit.

KALLXO.com ka kontaktuar me Z-Mobile në lidhje me detajet e padisë së dytë ndaj Telekomit të Kosovës. Në përgjigjen e tyre për KALLXO.com thuhet se kjo padi është parashtruar për shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës.

Z-Mobile ka paraqitur padinë e saj në Arbitrazhin e Odës Ekonomike të Arbitrazhit më 22 tetor 2019. Sipas Z-Mobile, ende nuk kanë filluar seancat e këtij procesi të Arbitrazhit.

“Ende nuk është caktuar, jemi në pritje”, thuhet në përgjigjen e Z-Mobile duke shtuar se presin që të fitojnë edhe këtë kontest me Telekomin e Kosovës.

KALLXO.com e ka pyetur edhe se sa është shuma e kërkuar nga Z-Mobile në këtë padi, mirëpo ata nuk kanë thënë një shumë të saktë.

“Në këtë fazë nuk është determinuar shuma e saktë, mbetet të përcaktohet në fazat e ardhshme të procedurës”, thuhet në përgjigje.

Kontrata 630 mijë euro për mbrojtje të Telekomit të Kosovës në Arbitrazh nga kompania “Hogan Lovells (Paris) LLP”  mes kompanisë e cila është angazhuar nga Telekomi i Kosovës është nënshkruar më 16 dhjetor të vitit 2019.

Në kontratë thuhet se pagesa do të bëhet përmes financimit vetanak derisa ky tender është zhvilluar me procedurë të negociuar.

Fillimisht buxheti i parashikuar për këtë kontratë ishte 1.5 milionë euro ndërsa përfundimisht kontrata u nënshkrua për 630 mijë euro, apo 870 mijë euro më pak se vlera e parashikuar.

Këto shërbime kompania do t’i kryejë në lokacionet e Telekomit të Kosovës ose sipas përcaktimit të palëve, duke përfshirë këtu edhe Tribunalin e Arbitrazhit.

Procedura për këtë tender është iniciuar më 11 nëntor 2019.

Në këtë tender kishin aplikuar dy kompani, por sipas Telekomit të Kosovës vetëm një kompani ka qenë e përgjegjshme, “Hogan Lovells (Paris) LLP”, kompania e cila e ka fituar këtë kontratë.

Kush është “Hogan Lovells (Paris) LLP”?

Më 1 maj të vitit 2010, dy firma ndërkombëtare, ajo me qendër në ShBA, “Hogan & Hartson” dhe firma me bazë evropiane “Lovells”, u bashkuan në një firmë të vetme për shërbime juridike nën emrin “Hogan Lovells”.

“Hogan Llovells” ka zyrat e saj në 18 shtete në Amerikë, në 12 shtete në Azi dhe Paqësor, në 19 shtete në Europë dhe në 3 shtete në Lindje të Mesme dhe Afrikë.

Sipas të dhënave të publikuara nga kjo kompani, ata kanë 2,400 avokatë në të gjithë botën.

Njëra ndër zyret e “Hogan Lovells” është edhe në kryeqytetin e Francës, në Paris, e cila është angazhuar për ta mbrojtur Telekomin e Kosovës në Arbitrazh.

Ndërsa kompania “Hogan Lovells” te personat dhe partnerët me bazë në Paris, ka radhitur 116 persona.

Historia e Arbitrazhit të parë

Ndërmarrja publike dhe “Z-Mobile” kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Këto mospajtime përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 26 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Si rrjedhojë, në vitin 2019, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendej para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z-Mobile. Më 4 maj të vitit 2019, kompania Z-Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Në fund të muajit korrik të vitit 2019, menaxhmenti i Telekomit të Kosovës ka vendosur që mos ta vazhdojë më kontratën me Z-Mobile.