Telekomi reagon pas vendimit të Kushtetueses, pret që të hetohet kontrata me Z-Mobile

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur të paktën dy shkelje, në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore fillimisht, e më pas të Apelit e të Supremes, në lidhje me rastin e Telekomit kundër Z-Mobile (Dardafon).

Sipas Kushtetueses, gjykatat e lartëcekura nuk kanë marrë parasysh argumentet e Telekomit, të paraqitura pranë këtyre gjykatave, në çështjen e përmbarimit privat, që e kishte parashtruar kompania “Dardafon”, në pronë të së cilës ishte “Z – Mobile”.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar Telekomi i Kosovës. Ata kanë kërkuar nga organet e drejtësisë që të hetohet kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe Z-Mobile.

“Telekomi i Kosovës beson se ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë lidhur me kontratën tashmë famëkeqe me Z-Mobile. Telekomi i Kosovës sh.a. beson fuqishëm dhe është i bindur se organet e drejtësisë do të fillojnë ta hulumtojnë prej fillimit këtë kontratë, e cila i ka shkaktuar dëme qindra milionëshe Telekomit”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Kosovës.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes, pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Reagimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

Telekomi i Kosovës përshëndet aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI84/21, edhe përkundër faktit se nuk janë plotësuar të gjitha pritshmëritë e tij.

Telekomi i Kosovës sh.a shpreh mendimin se shkeljet e konstatuara nga ana e n Prishtine PPP.nr. 1486/19 të datës 06 korrik 2020, të cilat pastaj, u legjitimuan së pari me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit Ac.nr. 3610/20 të datës 08 tetor 2020 dhe pastaj edhe me Aktvendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës CML nr. 12/20 të datës 20 janar 2021.

Prandaj, pasi Gjykata Kushtetuese ka anuluar aktvendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës Supreme, të cilat i kanë legjitimuar shkeljet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Telekomi i Kosovës sh.a shpreh qëndrimin se edhe Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtine PPP.nr. 1486/19 i datës 06 korrik 2020, do të duhej të anulohet.

Pavarësisht kësaj, Telekomi i Kosovës sh.a. shpreh pritshmëritë që në procedurën e përsëritur, Gjykata e Apelit do t’i shqyrtojë dhe vlerësojë me profesionalizëm dhe paanësi të gjitha pretendimet ankimore dhe do të marrë një vendim në përputhje me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Telekomi i Kosovës sh.a beson se ky është vetëm fillimi i vendosjes së drejtësisë lidhur me kontratën tashmë famëkeqe me Z-Mobile. Telekomi i Kosovës sh.a. beson fuqishëm dhe është i bindur se organet e drejtësisë do të fillojnë ta hulumtojnë prej fillimit këtë kontratë, e cila i ka shkaktuar dëme qindra milionëshe Telekomit.

Gjithashtu, shpresojmë që vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese të jetë një moment i ri dhe një shtysë e re për institucionet tona të drejtësisë, që Telekomit të Kosovës sh.a. përmes një procesi të ardhshëm gjyqësor, t’i kompensohet dëmi i shkaktuar ndër vite nga kontrata me Z-Mobile.

Gjykata Kushtetuese gjen shkelje në vendimet e Themelores, Apelit dhe të Supremes në lidhje me rastin Telekom – Z Mobile