Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi paguan borxhin ndaj ARKEP mbi 9 milionë euro me ndihmën që ia ofroi Qeveria

Afër 10 milionë euro që ekzekutivi i vendit ndau për Ndërmarrjen Publike Telekomi i Kosovës në fund të vitit të kaluar, do të shkojnë për Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Kështu tha të hënën para gazetarëve Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së kryeshefes në Telekomin e Kosovës.

Sipas saj, ky ishte një borxh i Telekomit i grumbulluar prej vitesh ndaj ARKEP.

“Ndihma ka qenë ekskluzivisht për pagesë të ARKEP-it, borxhi ka qenë 9 milionë e 786 mijë e 980 euro, kjo i bie që krejt vlera është dedikuar për pagesë të frekuencës të ARKEP-it, ka qenë borxh i grumbulluar”, tha ajo.

“Për hir të transparencës, duhet të njoftoj që nëse kemi pasur 10 vite, çdo vit me bë pagesën në ARKEP, nuk është bërë asnjë pagesë. Sipas marrëveshjes, nëse Telekomi nuk bën pagesat ndaj ARKEP për dy vite, ARKEP ka pasur mundësi me ndal funksionimin frukencor të të Telekomit”, deklaroi kryeshefja në detyrë e Ndërmarrjes Publike Telekomi i Kosovës.

Sot gjatë ditës, shefi i qeverisë kosovare, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Herkuran Murati vizituan këtë Ndërmarrje Publike.

Me ketë rast, U.D kryeshefja, Hana falënderoi zyrtarët e qeverisë dhe se “ka qenë momenti i fundit që ta bëjmë këtë pagesë” ndaj ARKREP, në të kundërtën, sipas saj, do të ndalej frekuenca telekomunikimit.

Tutje, Hana tha se edhe në fund të këtij muaji do të bëjnë pagesë për çështjen e frekuencave ndaj ARKEP. Për këtë, ajo tha se do t’i shfrytëzojnë disa mjete që kanë tepruar nga pagesa e fundit ndaj AKEP.

“Pjesa që ka mbetë prej rreth 200 e diçka mijë euro, këto parashihet me u shfrytëzua në janar, në fund të janarit është edhe një pagesë e madhe rreth 1 milion për ARKEP, për frekuenca prapë”, deklaroi ajo.

Kurti: Synojmë që Telekomin ta bëjmë lider në Kosovë

www.kallxo.com