Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi nxjerr në shitje 88 vetura të vjetra

Telekomi i Kosovës ka hapur sot ankand për shitjen e 88 veturave të vjetërsuara që janë në pronësi të tyre.

Veturat do të jenë të ekspozuara në objektin e transportit të Telekomit të Kosovës në zonën industriale deri më 28 shkurt ndërsa personat e interesuar do të mund të dorëzojnë ofertat për vetura deri më 3 mars.

Në faqen e-prokurimi, Telekomi i Kosovës ka publikuar veturat në shitje dhe çmimet e vlerësuara për to, çmime këto nga të cilët duhet të fillojnë ofertat e të interesuarve.

Gjithsej janë 28 lote të këtij tenderi që përfshijnë vetura dhe çmime të ndryshme.

Telekomi ka nxjerrë në shitje dy vetura të tipit, ‘Range Rover’ të vitit 2009 vlera fillestare e të cilave është 5 mijë e 900 euro.

Veturat e tjera janë kryesisht të viteve 2004-2005 dhe fillojnë nga 290 euro e deri në 3 mijë e 700 euro për një Renault.M.Karavan.

Llojet e tjera të veturave të cilat janë në ankandin e Telekomit të Kosovës janë: Nisan Terrano duke filluar nga 610 euro; Kamioneta IVECO 1 mijë e 860 euro; RVE CADDY duke filluar nga 210 euro.

Në faqen e-prokurimi Telekomi i Kosovës ka publikuar 28 lotet e tenderit dhe mundësinë për oferta për të interesuarit. Qytetarët duhet të bëjnë ofertat e tyre përmes e-prokurimit.

Nga lot 1 deri në lot 24 shiten nga një veturë ndërsa në lot 28 të interesuarit do të mund të gjejnë gjithsej 39 vetura kryesisht të llojit Renault.M.Karavan, kamioneta, CADDY dhe një “Polo” duke filluar me çmim 3 mijë e 705 euro.

Në lot 27,  qytetarët kanë në dispozicion 3 vetura ndërsa në lot25  16 vetura me çmime nga 1000 euro deri në 3000 euro.