Telekomi nuk jep detaje të marrëveshjes për zhbllokim të llogarive
Telekomi i Kosovës ka arritur marrëveshje që të zhbllokoj llogaritë bankare të kësaj kompanie, pasi të njëjtat ishin bllokuar nga përmbaruesi për të realizuar borxhin prej 26 milionë euro për kompaninë Z-Mobile.
Kjo ndërmarrje e ka dhënë lajmin që ka ndodh ditë më parë, por prapë nuk ka tregu cila është marrëveshja për zhbllokim të llogarive.
“Bordi i përkohshme i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pa caktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike”, thuhet në komunikatën e Telekomit të Kosovës.
Kjo ndërmarrje thotë se ka arritur marrëveshje edhe me ATK-në për borxhin ndaj shtetit.
“Me Administraten Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet në komunikatë.
Në një përgjigje për KALLXO.com, avokati i Z Mobile, Virtyt Ibrahimaga, ka thënë se palët momentalisht janë marrë vesh që të lirohen llogaritë e Telekomit, deri në arritjen e një marrëveshje.
“Ashtu siç e ka thënë ministri. Nuk ka marrëveshje të detajuar, por vetëm mirëkuptim. Z Mobile është pajtuar që momentalisht të lirohen llogaritë e Telekomit, deri në arritjen e një marrëveshje tjetër në mes dyja palëve”, ka thënë avokati Ibrahimaga përmes telefonit.
Telekomit të Kosovës i ishin bllokuar llogaritë me datën 15 korrik, pasi Gjykata Themelore Prishtinë ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.