Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi i Kosovës u dha paga të ndryshme 54 punëtorëve, ani pse kishin pozitë të njëjtë

Në Telekomin e Kosovës, 54 punëtorë të cilët kanë gradë të njëjtë, në fund të muajit nuk e marrin pagën e njëjtë.

Kjo është bërë e ditur në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit e cila ka audituar këtë kompani për vitin e përfunduar 2021.

“Analizat tona të listës së pagave të punonjësve, tregojnë se për 54 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Vlen të ceket se ndërmarrja ende nuk ka rregullore për sistematizim të vendeve të punës. Sipas konfirmimeve zyrtare, kjo çështje është paraparë që të rregullohet me ristrukturim i cili proces është në fazën përfundimtare”, thuhet në raport.

ZKA gjithashtu ka konstatuar se në konkursin e brendshëm për pozitën, ‘Menaxher Regjional Gjilan’ ishin evidentuar disa parregullsi.

Për këtë pozitë kishin aplikuar pesë persona dhe sipas komisionit përzgjedhës tre prej tyre i kishin plotësuar kushtet dhe kriteret mirëpo sipas analizave të ZKA-së në fakt vetëm njëri nga aplikantët i kishte plotësuar kushtet.

Në këtë rast sipas ZKA-së do të duhej të shpallet konkurs publik.

“Kjo kishte ndodhur si pasojë e mos ekzaminimit të duhur të dokumenteve të aplikantëve nga ana e komisionit vlerësues…Përzgjedhja e stafit në mungesë të konkurrencës se hapur në rastet kur nuk ka staf të mjaftueshëm të brendshëm që i plotësojnë kriteret për pozitën e caktuar, rrit rrezikun e angazhimit të personave jo kompetent dhe mund të ndikoj në mos arritjen e objektivave të ndërmarrjes”, vazhdon raporti i ZKA-së.

KËTU mund të lexoni raportin e plotë të ZKA për Telekomin e Kosovës.