Ndërtesa e Telekomit, FOTO: BIRN

Telekomi i Kosovës punësoi një ekspert edhe pse nuk kishte diplomë në fushën e kërkuar

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur mangësi në një proces të rekrutimit në Telekomin e Kosovës.

Sipas konkursit publik, të datës 11 janar 2020, ishte kërkuar një “Ekspert i Sigurisë së Rrjetit dhe Platformave të Telekomit të Kosovës” dhe për shkollimin ishte kërkuar diplomë universitare në fushën përkatëse.

Komisioni vlerësues, kishte vlerësuar se tre kandidatë i kishin plotësuar kushtet dhe kriteret e konkursit.

Mirëpo, sipas dëshmive që ka gjetur Auditori, dy nga aplikuesit, përfshirë punonjësin e pranuar nuk kishin diplomë universitare në fushën përkatëse.

Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur si pasojë e moskonfirmimit të dokumenteve të aplikantëve me kriteret e konkursit nga ana e komisionit vlerësues.

Sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, te konkursi publik dhe i brendshëm specifikohen kualifikimet e nevojshme arsimore, specifike dhe përvoja paraprake.

Po ashtu aty thuhet se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs.

Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës është pajtuar me gjetjen.

Sipas Auditorit, pranimi i punonjësve pa respektuar kushtet e konkursit është në papajtueshmëri më kornizën ligjore për zbatimin e procedurave të konkursit në sektorin publik dhe mund të ndikojë në punësim të stafit jokompetent për pozitën.

“Bordi i drejtorëve të sigurojë, që punësimi i stafit të bëhet në përputhje me kriteret e përcaktuara për pozitën e shpallur me konkurs”, theksohet në rekomandimin e Auditorit për Telekomin e Kosovës.