Foto: Vala

Telekomi i Kosovës: Po ofrojmë shërbime në të gjitha pikat e shitjes

Telekom i Kosovës ka bërë të ditur se janë duke ofruar shërbime për qytetarët ndonëse po punojnë me staf të reduktuar për shkak të situatës nga coronavirusi.

“Telekomi i Kosovës po vazhdon të jetë prezent në të gjitha pikat tona shitëse si dhe në pikat e partnerit tonë strategjik Postës së Kosovës, vetëm dhe vetëm që konsumatori ynë t’i ketë në dispozicion të gjitha shërbimet tona dhe atë  pa as edhe një problem”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Sipas njoftimit, partneri i kompanisë për rishitjen e mbushjeve ka furnizuar me mbushje të gjitha marketet, pikat e karburantit dhe gjitha pikat tjera ku shihet shenja e “Vala-s”.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.

Ky është njoftimi i plotë i Telekomit të Kosovës:

Të nderuar qytetar,

Duke pasur parasysh faktin se shërbimet që ofron Telekomi i Kosovës janë pjesë e infrastrukturës vitale me rëndësi të veçantë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, kompania është e përcaktuar që me përkushtim të realizojë të gjitha aktivitetet dhe operimet e domosdoshme për të ofruar shërbimet e vazhdueshme në përballimin e nevojave të shtetit dhe të qytetarëve në këtë situatë dhe kur e kërkojnë interesat e mbrojtjes nacionale e të sigurisë së rendit publik.

 Angazhimi i stafit tonë në të gjitha departamentet për të mbajtur në funksion çdo shërbim është mbi çdo nivel edhe pse me staf të reduktuar.

Telekomi i Kosovës po vazhdon të jetë prezent në të gjitha pikat tona shitëse si dhe në pikat e partnerit tonë strategjik Postës së Kosovës, vetëm dhe vetëm që konsumatori ynë t’i ketë në dispozicion të gjitha shërbimet tona dhe atë  pa as edhe një problem.

 Partneri ynë për rishitjen e mbushjeve ka furnizuar me mbushje të gjitha marketet, pikat e karburantit dhe gjitha pikat tjera ku shihni shenjën “VALA”.

Telekomi ka menduar që me produktet tona të furnizohen të gjithë konsumatorët tonë që janë duke qëndruar në shtëpi duke përdorur E-SHOP-in tonë.

Si kompani publike jemi duke kryer me përgjegjësi të lartë të gjitha obligimet tona që kemi, lusim të gjithë konsumatorët që shërbimet e internetit të përdoren në mënyrë racionale që të mos kemi mbingarkesë të këtyre shërbimeve.

Urojmë kjo gjendje të kalojë sa më shpejtë, KUJDES PO, PANIK ASNJËHERË!