Telekomi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

Telekomi i Kosovës po kundërshton pagesën e rreth 22 milionë eurove për “Dardafon’

Telekomi i Kosovës ka kundërshtuar borxhin ndaj kompanisë “Dardafon”, duke deklaruar sot në Gjykatën Komerciale se i kanë përmbushur të gjitha obligimet ndaj kësaj kompanie sipas vendimit të arbitrazhit.

Përfaqësuesi i ndërmarrjes “Telekomi” deklaroi në gjykatë se nuk i kanë më asnjë borxh kompanisë “Dardafon”, e cila përmes përmbaruesit privat po i kërkon edhe rreth 22 milionë euro, të cilat po pretendon se nuk i janë paguar akoma.

“Telekomi i ka përmbushur pagesat në shumën prej 30 milionë eurove me të cilën është tejkaluar shuma e detyrimit sipas vendimit të Arbitrazhit, e cila është 27 milionë euro” – thuhet në parashtresën e dorëzuar nga Telekomi i Kosovës.

Ndërkaq të kundërtën e pretendon kompania “Dardafon”, e cila i është drejtuar sërish permbaruesit me arysetimin se borxhi nuk është përmbushur dhe se “Telekomi” i detyrohet edhe 22 milionë euro të tjera pasi sipas tyre deri më tani janë paguar rreth 11 milionë euro.

Përfaqësuesit e Telekomit pos tjerash deklaruan në gjykatë se në kohën kur kishin lidhur marrëveshje për pagesën e tyre e borxhit, kishin qënë në presion pasi ishte në rrezik falimentimi.

“Kemi qenë të shtrënguar për ta shpëtuar kompaninë nga falimentimi për shkak të bllokimit të llogarive nga përmbaruesi privat përmes një vendimi të Gjykatës Themelore, i cili më vonë është konstatuar se është i paligjshëm” – tha u.d. i Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit, Feim Kelmendi.

Në vitin 2016 “Dardafon” e kishte fituar rastin në Gjykatë kundër Telekomit të Kosovës, pasi kishte refuzuar t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Ky vendim ishte njohur dhe ekzekutuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike.

Pasi ishte bërë i plotfuqishëm vendimi, “Dardafon” i ishte drejtuar përmbaruesit privat me kërkesën për mbledhjen e borxhit, të cilin e kishte fituar përmes vendimeve gjyqësore të Arbitrazhit.

Me kërkesë të përmbaruesit privat, llogaritë e Teleokomit të Kosovës ishin bllokuar.

Më pas ishte lidhur marrëveshja, në bazë të së cilës deri më tani janë paguar 14 këste, ndërsa 10 të tjera kanë mbetur pa u paguar.

Kjo po kundërshtohet nga Telekomi, me arsyetimin se vlerat e pretenduara nga kreditori janë në kundërshtim me dokumentin përmbarues dhe se është devijuar kërkesa e caktuar me dokumentin përmbarimor.

Me vendim të Arbitrazhit, kompanisë “Dardafon” i ishte njohur e drejta për shpërblimin e dëmit dhe fitimit të humbur si pasojë e mosrealizimit të kontratës me Telekomin.

Për shpërblim të dëmit është caktuar vlera mbi 8.7 milionë euro, ndërkaq për fitimin e humbur mbi 17 milionë euro.

Rasti i “Dardafon” dhe Telekomit kishte shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo Gjykatë kishte gjetur se Gjykata Themelore i kishte mohuar të drejtën Telekomit që të deklarohet lidhur me parashtresën e “Dardafon’”, për precizimin e përmbarimit, pasi që aktvendimi i Gjykatës Themelore ishte nxjerrë po në ditën kur Telekomi ka pranuar dokumentet dhe pa pritur përgjigjet përkatëse të tij.

Duke u bazuar në këto gjetje, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se aktvendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Supremes, janë nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.