Telekomi i Kosovës mohon të jetë përballur me sulme kibernetike

Telekomi i Kosovës i ka quajtur lajme të rrejshme raportimet e disa mediave se ka pasur ndaj tyre sulm kibernetik.

Sipas një reagimi në ‘Facebook’, Telekomi ka thënë se nuk janë sulmuar e as nuk është rrezikuar as edhe një IP e vetme. Sipas tyre, e gjithë kjo është e sajuar nga ‘ekspertë të vetshpallur’.

“Fillimisht, Telekomi i Kosovës nuk e ka këtë numër të IP adresave siç pretendohet, ndërsa që në matjet tona të brendshme nuk është vërejtur as edhe një sulm e lëre më ajo që po pretendohet”, thuhet në reagim.

Telekomi raportime e tilla i ka konsideruar si një sulm direkt ndaj biznesit të tyre.

Sipas reagimit, Telekomi ka kontaktuar edhe personin që e ka publikuar një lajm të tillë, por që sipas tyre, i njëjti nuk është përgjigjur.

“Duam të iu bëjmë me dije të gjithë konsumatorëve tanë që të mos shqetësohen asnjë moment për shërbimet që marrin nga ne, ndërsa, i ftojmë të gjithë ata që krijuan lajme të rreme që t’i përmirësojnë ato, pëndryshe do të ndjeken penalisht për dëmtim të imazhit dhe biznesit të Telekomit të Kosovës”, thuhet në fund të reagimit.