Telekomi i Kosovës me mbi 16.5 milionë euro humbje në vitin 2020

Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës” ka pësuar humbje në vlerë 16,583,000 euro në vitin 2020.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Telekomi i Kosovës e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për 6 vite me radhë dhe humbjet e akumuluara deri në fund të vitit 2020 janë në vlerë 78,291,000 euro.

Humbjet e Telekomit të Kosovës vetëm në vitin 2019 kanë qenë 26,916,000 euro. Krahasuar me vitin 2019, humbjet e Telekomit vetëm në vitin 2020 janë zvogëluar për 10,333,000 euro.

Përveç kësaj, sipas Auditorit, në fund të vitit 2020 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 64,089,000 euro.

Trendi i humbjeve të Telekomit në raportin e Auditorit është përshkruar nga viti 2015.

Përkatësisht në vitin 2015 humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit ishte 7.9 milionë euro.

Në vitin 2016 kjo humbje është gjashtëfishuar në 50.9 milionë euro.

Sipas Auditorit, në vitin 2017 humbja përsëri ka rënë në 13.9 milionë euro, dhe në vitin 2018 humbja e paraqitur ishte 15,575,000 euro.

Telekomi i Kosovës ka marrë opinion të kundërt nga Zyra Kombëtare e Auditimit për pasqarat financiare të vitit 2020.

“Pasqyrat Financiare të bashkangjitura nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Telekomit të Kosovës sh.a. deri me 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)”, thuhet në arsyetimin për opinion të kundërt.

Auditori jep një opinion të kundërt nëse arrin në përfundimin se keq-deklarimet, ose individualisht ose së bashku, janë edhe materiale edhe të përhapura në pasqyrat financiare, bazuar në dëshmitë e auditimit të mjaftueshme dhe të përshtatshme.

Arsyet për opinion të kundërt, Auditori i ka shtrirë në dy faqe.

Borxhi i mbetur ndaj Dardafon.net LLC, sipas Marrëveshjes për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit, është 17,281,142 euro, i cili do të paguhet në procedurë përmbarimore me këst mujor 720,048 euro duke shtuar 7% kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.

“Kësti i lartë i këtij borxhi rëndon edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të Kompanisë, ku rrjedha neto e parasë vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2021”, thuhet në raportin e auditimit.

Obligimet e Telekomit të Kosovës ndaj Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në fund të vitit kanë arritur në shumën 6,899,284 euro.

Me 30 korrik 2019, Telekomi i Kosovës kishte ripërtërirë të drejtën e shfrytëzimit të resurseve frekuencore në brezin 900 MHz dhe 1800 MHz (Licencën e operimit).

Kostoja e kësaj licence i kushton 15,774,128 euro, mirëpo sipas kërkesës së Telekomit të Kosovës është ndarë në 10 këste për pagesë.

“Kompania për shkak të vështirësive financiare nuk ka arritur t’i përmbahet pagesave të kësteve dhe borxhi i papaguar deri me 31 dhjetor 2020 ndaj ARKEP ka arritur në 6,899,284 euro. Kjo situatë mund të kërcënoj Kompaninë me përmbarim ose tërheqje të licencës”, theksohet në raport.