Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Telekomi i Kosovës ka angazhuar 11 punonjës pa konkurs publik

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Telekomi i Kosovës ka angazhuar 11 punonjës për punë dhe detyra specifike, pa shpallur konkurs publik.

Përveç kësaj, për këta punonjës nuk ishte respektuar afati maksimal i punësimit prej 120 ditësh për këtë mënyrë të kontraktimit. Në kuadër të këtyre punonjësve të angazhuar janë edhe dy ekspertët e jashtëm ligjor.

Kostoja financiare për këto paga që rrjedhin nga këto kontrata janë 105,304 euro (paga neto).

Në raportin e auditimit për vitin 2020 të Telekomit të Kosovës thuhet se mosshpallja e konkursit publik për kontrata për punë dhe detyra specifike, ishte bërë për shkak se ndërmarrja nuk e kishte konsideruar të nevojshme shpalljen e konkursit publik.

Për këto raste ka bërë vetëm “Thirrje për shprehje të interesit”, e cila vendoset në faqen e internetit të Telekomit të Kosovës.

Ndërsa tejkalimin e afatit të angazhimit të punonjësve, Telekomi i Kosovës e ka arsyetuar se e kishte bërë për shkak të nevojave të departamenteve kërkuese. Për më tepër, angazhimi i ekspertëve ligjor, sipas zyrtarëve të Telekomit, ka qenë i nevojshëm, për shkak të negociatave me ish-MVNO (Z-Mobile).

Sipas Ligjit të Punës, çdo punëdhënës në sektorin publik, është i obliguar të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënies të punës dhe në rastin e kontratës për punë dhe detyra specifike ajo nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti.

Ndërsa sipas Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, konkursi publik duhet të publikohet në njërën nga mjetet e shkruara të informimit dhe të mbetet i hapur 15 ditë nga data e publikimit.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike të punës, pa shpallje të konkursit publik, mund të ndikojë në përzgjedhje joadekuate të kandidatëve për shkak të mungesës së transparencës dhe rrjedhimisht kufizimit të konkurrencës.

“Bordi i Drejtorëve të sigurojë, se merren masat e nevojshme që të respektohen dispozitat ligjore përkatëse me rastin e angazhimeve të punonjësve të rinj, si dhe respektimin e afatit maksimal të lejuar me ligj në rastin e punonjësve me kontratë dhe detyra specifike”,