Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës deklarohet pas padisë nga Z-Mobile

Pas një mbledhjeje urgjente të cilën e ka mbajtur sot Bordi i Telekomit të Kosovës në lidhje me padinë e ushtruar nga operatori “Z-Mobile”është deklaruar Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

Istrefi i ka thënë KALLXO.com se të gjitha veprimet e ndërmarra për mos- vazhdimin e e afatit të validitetit të Marrëveshjes me Z-Mobile janë marrë në tërësi në pajtim me ligjin e aplikueshëm, dhe në pajtim me të dhënat financiare dhe ekspertizat teknike nderkombetare qe kane sygjeruar te mos vazhdohet kjo kontrate.

“Me datë 01 Nëntor 2019, Telekomi i Kosovës ka pranuar nga ana e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë – International Chamber of Commerce (ICC), Njoftimit se Dardafon.net (Z-Mobile) ka paraqitur Padi kundër Telekomit të Kosovës, kjo në lidhje me mos-vazhdimin e Marrëveshjes për Operatorin Mobil Virtual (MVNO) të vitit 2009 (Marrëveshja me MVNO)”, tha Istrefi për KALLXO.com.

Tutje ai i ka thënëedhe se nga njoftimi i marrë ditën e djeshëm nga ICC sqarohet se Dardafon.net ka kërkuar që të lëshohet një Masë e Sigurisë në atë mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me MVNO dhe të vazhdohet ofrimi i Shërbimeve për klientët e Z-Mobile, dhe që Telekomi i Kosovës të paguajë dëmshpërblim.

“Bordi i Telekomit ka mbajtur një mbledhje urgjente sot me datë 02 Nëntor 2019, kjo së bashku me menaxhmentin, ku janë adresuar hapat e ardhshëm të përgjigjes në Padi dhe procedurën”, tha ai.

Ai shtoi se faktor kyq në vendimin e Bordit të Drejtorëve për mos-vazhdimin Marrëveshjes me kushte të njejta ka qenë Raporti i Ekspertëve Financiar dhe Teknik ndërkombëtar, të cilët kanë kuantifikuar dëme dhjetëra milionëshe në baza vjetore nga Kontrata me Z-Mobile.

“Gjithashtu, Bordi i Drejtorëve është bazuar edhe në opinionin e ekspertëve ligjor për mundësinë e mos-vazhdimit të Kontratës. Mbi këto rrethana, ka qenë e qartë se Vendimi për të mos-vazhduar Kontratën me Z Mobile është bërë në të mirën e Telekomit dhe të qytetarëve. Në këtë drejtim, Bordi i Drejtorëve do të angazhohet që edhe përfaqësimi në arbitrazh të jetë profesional dhe që të dëshmohen dëmet e shkaktuara nga Z – Mobile”, tha ai tutje.

KALLXO.com gjatë ditës raportoi se Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, mbajti një mbledhje urgjente pas padisë nga ana e Z-Mobile të cilët kanë dërguar padi në arbitrazh dhe po kërkojnë një dëmshpërblim prej 15 milion eurove për shkëputje të kontratës.

Padia e re e Z-Mobile mbledh bordin e Telekomit të Kosovës