Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Telekomi: Bllokimi i llogarive rrezikon operimin

Telekomi i Kosovës ka reaguar në lidhje me bllokimin e llogarive bankare të kësaj korporate, duke thënë se pasojat janë të pariparueshme shkaku i bllokimit.

“Menaxhmenti i Telekomit të Kosovës posa është njoftuar me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për refuzimin e prapësimit të përmbarimit, ka njoftuar aksionarin dhe të gjitha institucionet relevante duke ua bërë me dije pasojat e pariparueshme të bllokimit eventual të llogarive bankare. Gjithashtu prej tyre kemi kërkuar me këmbëngulje bashkërenditjen e veprimeve për të parandaluar dhe menaxhuar pasojat e rënda që sjell ky vendim”, thuhet në reagim.

Sipas Telekomit të Kosovës, bllokimi i llogarive ndikon edhe në ofrimin e shërbimeve të pandërprera edhe për institucionet e Republikës së Kosovës.

“Me këtë rast e njoftojmë gjithë opinionin publik, institucionet e Republikës së Kosovës se bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës tashmë ka shkaktuar një dëm të pariparueshëm, duke e rrezikuar kështu ofrimin e shërbimeve të pandërprera të komunikimeve elektronike përfshire këtu edhe ofrimin e shërbimeve për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (shërbimet e numrave emergjent, policisë, zjarrfikësve, AKI, Qeverisë, Ministrive dhe Komunave, Ushtrisë së Kosovës, Entit Epidemiologjik, Spitaleve, IKSHP ) etj të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe të mbi 1 Milion konsumatorëve të cilët përdorin shërbimet e Telekomit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Telekomit të Kosovës.

Tutje, Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se menaxhmenti i Telekomit të Kosovës është duke e hartuar planin e veprimit emergjent bazuar në këtë situate dhe rrethanë të re, në mënyrë që të mund të mbajnë operimin dhe funksionalitetin e ofrimit të shërbimeve ndaj institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Gjendja është alarmante dhe kjo kërkon mobilizimin urgjent të gjitha institucioneve përgjegjëse shtetërore për tejkalimin e këtij rreziku që mund të shkatërrojë tërësisht këtë aset vital të Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim është e domosdoshme që menjëherë të zhbllokohen llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës dhe të suspendohet kjo masë”, thuhet në reagim.

Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar protesta në rast se llogaritë e bllokuara të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesi nuk zhbllokohen deri në fund të javës.

Sot xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës janë bllokuar si pasojë e përmbarimit të borxhit rreth 25 milionësh nga kompania Dardafone (Z Mobile) që kishte fituar gjykimin në Arbitrazh.

Sipas Sindikatës, protestat janë të pashmangshme sepse janë mbi 3,500 punëtorë që punojnë aty dhe rrjedhimisht me falimentimin e Telekomit këto familje do të mbeteshin pa të ardhura mujore.

“Nga e hëna ne do të protestojmë nëse nuk zhbllokohen llogaritë sepse 3500 familje mbesin pa bukë, ne do të kërkojmë edhe ndihmën e qytetarëve. Nuk do të respektojmë as virus as kurgjo. Ju them që të mos ndihen komod as Devolli e as Përmbaruesi sepse ne do të protestojmë të gjithë. Ne kërkojmë nga instuitucionet që të zhbllokojnë llogaritë ose ne do të protestojmë. Ne jemi të shqetësuar dhe kemi kontaktuar me menaxhmentin. Neve protestat na imponojnë fëmijët, familjet sepse kur të bëhet i pari e kur nuk do të kemi rrogë me cu në shtëpi atëherë është shumë ke”, u tha në konferencën e Sindikatës.

Ditë më parë, Gjykata e Prishtinës ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin (realizimin) e borxhit milionësh duke refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Gjykata vendos në favor të Z-Mobile, lejon përmbarimin milionësh ndaj Telekomit

Për bllokimin e llogarive të Telekomit ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Telekomi i Kosovës ato pak të ardhura që i ka në këto momente i ka për pagat e punëtorëve dhe operimin shërbimeve bazike, që me shumë kujdes e kursim po i përdorë menaxhmenti i ri.

Vetëvendosje reagon për bllokimin e llogarive në Telekom