Ilustrim

Telekom Sllovenia anulon shitjen e IPKO-s

Telekomi i Sllovenisë ka anuluar shitjen e operatorit të telefonisë mobile IPKO.

Më 3 nëntor, Telekomi i Sllovenisë përmes një deklarate për media ka njoftuar që IPKO do të vazhdojë të mbetet pjesë e Telekomit të Sllovenisë.

“Në përputhje me dispozitat e Rregullave të Bursës së Lubjanës dhe legjislacionit të vlefshëm, Telekom Slovenije njofton publikun se që nga sot ajo ka ndaluar procedurën e shitjes së 100% të aksioneve të saj në Kosovë në IPKO Telecommunications LLC. Procedura u përmbyll pa zgjedhjen e një blerësi, dhe IPKO Telecommunications LLC do të mbetet pjesë e Grupit Telekom Slovenije”, thuhet në njoftimin e Telekomit të Sllovenisë.

KALLXO.com ka pyetur Telekomin e Sllovenisë në lidhje me arsyet e anulimit të shitjes së IPKO-s, por ata nuk kanë dashur të komentojnë.

“Ne nuk mund t’ju japim ndonjë koment tjetër, kërkojmë mirëkuptimin tuaj”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Telekomit të Sllovenisë.

Telekom Slovenia në njoftimin zyrtar nuk deklaroi arsyen pse vendosi ta anulojë shitjen e IPKO-s, derisa televizioni serb B92 citon televisionin slloven POP të ketë raportuar se problemi kryesor ishte ofertuesi bullgar, i cili nuk preferohet nga qeveria sllovene dhe as nga Shtetet e Bashkuara, sepse fitorja e tij mund të kishte ndikim të madh në marrëdhëniet gjeopolitike në rajon.

Sipas televizionit POP, ofertat u dorëzua nga tre ofertues – Albania Telekom Invest, e cila thuhet se është në pronësi të manjatit bullgar Spas Rusev që ka lidhje të mira me Rusinë, Fondi i Aksioneve të Evropës Jugore dhe një nga njerëzit më të pasur të Kosovës, emri i të cilit nuk është publikuar. 

Edhe Telekomi i Serbisë ka bërë një ofertë për blerjen operatorit kosovar të telefonisë mobile IPKO. Për këtë ka raportuar edhe RTS. Për këtë ka pasur reagime të shumta në Kosovë. Në një postim në Twitter, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte thënë se Telekomi i Serbisë kishte ofruar 155 milionë euro për të blerë aksionet e IPKO-s.

Pas raportimeve se Telekomi i Serbisë kishte ofertuar për blerjen e IPKO-s, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike e ka ftuar për raportim bordin e Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kalimi i operatorit të telefonisë mobile IPKO në pronësi të Telekom Serbia do të cenonte seriozisht sigurinë kibernetike dhe sigurinë e përgjithshme në vend.

Anëtari i bordit të ARKEP-it, Shqiprim Pula, gjatë raportimit të bordit në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, në fillim të muajit tetor, kishte deklaruar se emrat e blerësve potencialë të IPKO-s, do t’i pranojë në mesin e muajit nëntor.

Po ashtu ai ka treguar, që në momentin që Telekomi i Sllovenisë i njofton për blerësit potencialë, ARKEP-i do të kërkojë hetim nga Inteligjenca Financiare dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sa i përket ofertës së Telekomit të Serbisë, e cila e ka bërë të ditur ofertën për blerjen e IPKO-s, Shqiprim Pula ka thënë se nuk vjen në shprehje që Telekom Serbia të aprovohet si blerës i IPKO-s.

Telekom Sllovenia e ka nisur procesin e shitjes së IPKO-s në korrik të vitit 2019.

Në mars të vitit 2018, Telekom Slovenia u bë pronar i vetëm i IPKO-s, pasi u pajtua të blejë pjesën e mbetur prej 6.89% të kompanisë që nuk e kishte tashmë.

IPKO është themeluar në dhjetor të vitit 2007. Sipas raportit të biznesit për vitin 2018, IPKO kishte një pjesë të tregut prej 44.4 për qind atë vit për sa i përket rrjetit të telefonisë fikse me brez të gjerë, dhe një pjesë prej 39.2 për qind të telefonisë mobile.