“Telegrami” thotë se shefi i tij i arrestuar “s’ka çfarë të fshehë”
Aplikacioni i mesazheve, “Telegram”, ka bërë të ditur se shefi i tij ekzekutiv, Pavel Durov, i cili është arrestuar të shtunën(25.08.2024) në Francë, “nuk ka asgjë për të fshehur”.
Durov është arrestuar në një aeroport në veri të Parisit me fletë-arrestin për shkelje të këtij aplikacioni, kanë bërë të ditur zyrtarët, raporton BBC.
Hetimi raportohet se është lidhet me mungesë të mjaftueshme kontrolli me Durovin që akuzohet se ka dështuar që të ndërmerrte hapa për të ndalur përdorimin kriminal të “Telegramit”. Aplikacioni akuzohet se ka dështuar të bashkëpunojë me organet e ligjit lidhur me trafikimin e drogës, përmbajtjes së abuzimit seksual të fëmijëve dhe mashtrimeve.
Telegrami ka thënë nëpërmjet një deklarate se funksionon “brenda standardeve të industrisë dhe se vazhdimisht po përmirësohet”.
“Është absurde të pretendohet se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzim të asaj platforme”, thuhet në reagimin e aplikacionit.
“Telegrami” ka bërë të ditur se Durov udhëton nëpër Evropë shpesh dhe se i respekton ligjet e Bashkimit Evropian, përfshirë atë të shërbimeve digjitale, që synon të sigurojë llogaridhënie dhe siguri në mjedisin virtual.
“Pothuajse një miliard njerëz në botë e përdorin ‘Telegramin’ si mjet komunikimi dhe si burim vital informacioni”, thuhet në reagimin e aplikacionit.
Agjencia franceze e lajmeve, AFP, ka raportuar se arresti i është vazhduar të dielën Durovit dhe se mund t’i zgjatet edhe për 96 orë.
Pavel Durov, 39 vjeç, u lind në Rusi dhe tani jeton në Dubai, ku “Telegrami” ka bazën. Ai ka shtetësi të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Francës. “Telegramni” përdoret shumë në Rusi, Ukrainë dhe në ish-shtetet sovjetike.
Aplikacioni ishte ndaluar më 2018 në Rusi, pas refuzimit të atëhershëm të Durovit për t’i ofruar të dhënat e përdoruesve. Moska e shfuqizoi vendimin më 2021.
“Telegrami është një prej platformave të mëdha sociale pas “Facebookut”, “YouTube”, “WhatsApp”, “Instagram”, “TikTok” dhe “Wechat”.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com