Telegram ngushëllimi: Presidentja Osmani vlerëson kontributin e gazetarit Zijadin Gashi
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka ngushëlluar familjen, të afërmit e komunitetin e gazetarëve, për vdekjen e gazetarit Zijadin Gashi.
Puna në media e gazetarit Gashi, i cili vdiq në moshën 51-vjeçare, është vlerësuar nga Presidenca e Kosovës.
,,Me pikëllim të thellë, morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Zijadin Gashit, gazetarit të përkushtuar, i cili tërë jetën ia kushtoi punës në media. Karriera e gjatë dhe kontributi i tij në median e shkruar, elektronike dhe televizive u karakterizuan nga integriteti dhe angazhimi i palëkundur për informim të publikut, saktë dhe në mënyrë profesionale.” – thuhet në ngushëllimin e Presidencës, më 3.12.2024.
Presidentja Osmani është shprehur, se: ‘në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjen me ta dhe i inkurajon që të gjejnë forcë në përballimin e dhimbjes.’
,,I përhershëm qoftë kujtimi për Zijadin Gashin!” – ka thënë presidentja Osmani.
Vdekjes së Gashit, një telegram ngushëllimi i ka kushtuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Sipas AGK-së, ‘Gashi pati një karrierë të gjatë e të përkushtuar në fushën e medias.’
,,Ai ka qenë pjesë aktive e gazetarisë kosovare, para dhe gjatë luftës. Punoi në disa mediume të shkruara, elektronike dhe televizive, në Kosovë.” – thuhet në telegramin e ngushëllimit të AGK-së.
AGK thekson, se: ‘këtë vit i ka ndarë mirënjohje Gashit, për kontributin e dhënë në gazetari – para dhe gjatë luftës në Kosovë – në periudhën 1998-99.’
,,Lajmi, për ndarjen e tij nga jeta, ka ngjallur dhimbje dhe pikëllim të madh te familja, miqtë dhe kolegët – të cilët kujtojnë me respekt punën e pasionin e tij për profesionin.” – ka thënë AGK.
Gashi ishte prezent në emisionin “Kallxo Përnime”, për nder të festës së Pavarësisë së Kosovës, më 17.2.2024.
Gashi, në kohën e shpalljes së Pavarësisë, më 17.2.2008, raportonte për ‘Radio Evropa e Lirë’ dhe të përditshmen ‘Zëri’. Në “Kallxo Përnime”, kishte thënë, se: ‘ishte gjakftohtësia, ajo që duhej të mbretëronte në ato momente. Sidomos, kur raportimi – si në rastin e tij – bëhej për një radio amerikane në gjuhën shqipe.’
Ai kishte treguar, se: ‘që nga ora 7:00 e mëngjesit së të dielës, 17 Shkurt 2008, kishin filluar përgatitjet në redaksi – për të kaluar, më pas, në terren për të raportuar.’
,,Orët e para kaluan me përgatitje, në objektin e Kuvendit të Kosovës, se para orës 16:00 do të vinte vendimi i shumëpritur. Radio Europa e Lirë kishte lajmet se, në ora 16:00, do të shpallej Pavarësia. Ishte mjaft nder për ne që, ndër të parët, mund të përfshiheshim në atë Seancë – e, të mund të raportonim për atë ditë aq të rëndësishme.” – kishte treguar Gashi, në një intervistë për KALLXO.com.