Telegram ngushëllimi i Kujtim Gashit për vdekjen e Irfan Blakçorrit

Ministri në largim i Kulturës, Kujtim Gashi i ka dërguar një telegrami ngushëllimi familjes Blarkçorri, me rastin e ndarjes nga jeta të artistit, Irfan Blakçorri.

Përmes këtij telegrami, ministri Gashi thotë se lajmi për vdekjen e kantautorit të mirënjohur shqiptar është pritur me pikëllim të madh dhe e ka konsideruar një humbje për familjen dhe dashamirësit e muzikës së Blakçorrit.

Irfani, thuhet më tej në telegram u nda nga kjo jetë duke lënë pas vetes vepra të shumta dhe me vlerë, të cilat  kanë begatuar thesarin e muzikës së lehtë shqipe.

“Me kontributin dhe punën e tij ai ka fituar respektin e të gjithëve që e kanë njohur, sidomos atyre në botën e muzikës. Padyshim mbetet një nga artistët më prodhimtarë, i cili ka bërë publikun për vete me zërin e tij unik si dhe tekstet e bukura që shkruante. Ne e kujtojmë me respekt angazhimin e tij të çmuar që ka dhënë në fushën e muzikës së lehtë shqipe”, thuhet në telegramin e ministrit Gashi për vdekjen e Irfan Blakçorrit.

Kantautori llapjan Irfan Blakçorri ka vdekur dje Bruksel në Belgjikë, në moshën 62 vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Me mbi  40 vjet jetë skenike, Blakçorri ishte një prej emrave më të spikatur të muzikës shqiptare dhe autori i mbi 250 teksteve dhe këngëve.