Konferenca e datës 24.07.2024, pas mbledhjes së Qeverisë. Foto; KALLXO.com

Tekstet shkollore, Nagavci: Kemi pranuar të dhënat e para për negocimin e çmimeve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se nga shtëpitë botuese kanë pranuar të dhënat e para në lidhje me negocimin e çmimeve dhe procesin deri te finalizimi i teksteve. 

Në lidhje me këtë çështje, Nagavci tha se së shpejti do të mbahet një konferencë e veçantë për media.

Janë finalizuar listat e teksteve të miratuara dhe ato janë ndarë me drejtoritë e arsimit” – tha Nagavci në një konferëncë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, më 24.07.2024.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë u miratuan dy dokumente të iniciuara nga MASHTI: Udhëzimi Administrativ “Edukimi i Mbrojtjes së Fëmijës” dhe Draft-koncepti i dokumentit për veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe inovacion.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 21.08.2023, kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Për shkak të dyshimeve të opozitës se ka pasur keqpërdorime në këtë proces, në Kuvendin e Kosovës është themeluar një komision i veçantë hetimor, i cili aktualisht është duke u marrë me intervistimin e dëshmitarëve.