Ilustrim
Teksa rriten dyshimet për sabotazh - NATO-ja vështirë ta sigurojë Detin Baltik
Më 18 nëntor, disa orë pasi dy kabllo komunikimi u shkëputën në Detin Baltik, 30 anije të NATO-s dhe katër mijë pjesëtarë të personelit ushtarak ndërmorën një nga stërvitjet më të mëdha detare të Europës Veriore.
Stërvitja 12-ditore “Freezing Winds” ishte pjesë e shtytjes që të ngrihet mbrojtja e infrastrukturës së aleancës së mbrojtjes transatlantike në ujërat ku kryhet 15 për qind e trafikut global të transportit detar dhe që shihen si gjithnjë e më të cenueshme ndaj sulmeve, shkruan Reuters.
Deti Baltik kufizohet nga tetë vende të NATO-s dhe Rusia. Janë regjistruar së paku tri incidente të sabotimit të mundshëm në 40 kabllot e telekomunikacionit dhe tubacionet kritike të gazit që shtrihen përgjatë shtratit të detit relativisht të cekët, që nga viti 2022 kur Rusia pushtoi Ukrainën.
“NATO-ja po shton patrullimet, aleatët po investojnë në teknologji inovative që mund të ndihmojnë për sigurim më të mirë të këtyre aseteve”, ka deklaruar Arlo Abrahamson, zëdhënës i Komandës Detare Aleate të NATO-s.
Megjithatë, lehtësia me të cilën spiranca e anijes mund të presë në një kabllo, së bashku me kushtet e detit, shpesh të pabesa, e bën pothuajse të pamundur parandalimin aktual të sulmeve të tilla.
Në ditën e tretë të stërvitjes, komandante e marinës gjermane, Beata Krol, u përpoq të lëshonte një dron nënujor nga anija e çminimit, Weilheim, që të inspektonte shtratin e detit, ndërsa pritej stuhia dimërore.
Vështirë të dihen shkaqet e dëmtimeve
Pas një vonese prej 30 minutash lëshimin, droni do të ngrihej ngrirë dhe nuk po funksiononte.
“Bateritë u ftohën”, do të tregonte ajo duke ngritur supet, ndërsa priste që pajisjet të ngroheshin.
Pas vitesh duke shpërthyer minat e epokës së Luftës së Dytë Botërore në shtratin e Detit Baltik, NATO-ja po ripërdor flotën e çminimit me gjashtë anije që të monitorojë gjithashtu aktivitetin e dyshimtë nënujor, duke skanuar shtratin e detit me dronët në gjendje të bëjnë fotografi dhe video nën ujë dhe me zhytës specialistë.
Por kompetencat i ka ende të kufizuara.
Burimet e sigurisë thonë për Reutersin se transportuesja kineze, Yi Peng 3, e cila u largua nga porti rus i Ust-Luga më 15 nëntor, ishte përgjegjëse për prerjen e dy kabllove nënujore në ujërat ekonomike suedeze midis 17 dhe 18 nëntorit, duke e tërhequr spirancën e saj në shtratin e detit.
Që nga e hëna, ajo nuk ka lëvizur në ujërat ekonomike daneze, duke u vëzhguar nga anijet detare të anëtarëve të NATO-s, pasi u kërkua nga Suedia të kthehej për t’u hetuar. Disa politikanë e akuzuan atë për sabotimin, por asnjë autoritet nuk kishte ofruar prova se veprimet e saj ishin të qëllimshme.
Kina ka thënë se është e gatshme të ndihmojë hetimin, ndërsa aleatja e saj Rusia ka mohuar përfshirjen në ndonjë nga incidentet e infrastrukturës baltike.
Rasti është i ngjashëm me një incident të vitit të kaluar kur anija kineze, NeëNeë Polar Bear, dëmtoi dy kabllo që lidhin Estoninë me Finlandën dhe Suedinë, si dhe një tubacion gazi Estoni-Finlandë. Kina bëri premtime të ngjashme ndihme, por anija nuk u ndal dhe, një vit më pas, hetuesit finlandezë dhe estonezë nuk kanë nxjerrë ende përfundime.
Si në Luftën e Parë Botërore
Dëmtimi i kabllove nuk është diçka e re. Në nivel global, rreth 150 sosh dëmtohen çdo vit, sipas Komitetit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Kabllove, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar. Kabllot e telekomunikacionit, linjat e energjisë dhe tubat e gazit në Baltikun e cekët janë veçanërisht të cenueshëm për shkak të trafikut shumë intensiv të anijeve, njoftoi firma kërkimore e telekomunikacionit me bazë në SHBA, TeleGeography.
Nëse ndonjë nga incidentet e fundit vërtetohet se është sabotim nga një vend tjetër, do të konsiderohej rikthim i një lloj lufte të paparë për dekada.
“Duhet të ktheheni në Luftën e Parë Botërore ose në luftën Amerikano-Spanjolle për të gjetur një sabotim të sponsorizuar nga shteti të një kablloje nëndetare”, ka theksuar Paul Brodsky, studiues i lartë në TeleGeography.
Dhe që t’i kundërvihej këtij kërcënimi të mundshëm, NATO-ja në maj hapi Qendrën e saj Detare për Sigurinë e Infrastrukturës Kritike nënujore (CUI) në Londër, e cila synon të hartojë të gjithë infrastrukturën kritike në ujërat e kontrolluara nga NATO dhe të identifikojë pikat e dobëta.
Në Rostock, në bregun baltik të Gjermanisë, një seli detare shumëkombëshe u hap në tetor që të mbrojë interesat e anëtarëve të NATO-s në det.
“Ajo që unë mendoj se mund të arrijmë është të përcaktojmë përgjegjësinë pas një incidenti”, ka thënë shefi i degës së CUI, komandanti Pal Bratbak, në bordin e Weilheim, duke theksuar fuqinë në rritje të teknologjisë.
“Elasticiteti është kundërpërgjigja e duhur ndaj sulmeve të tilla hibride”
Qendra e NATO-s për Kërkime dhe Eksperimentime Detare në Itali po lanson një softuer që do të kombinojë të dhënat dhe imazhet private dhe ushtarake nga hidrofonët, radarët, satelitët, Sistemi i Identifikimit Automatik të anijeve (AIS) dhe fibrat me Sensorë Akustikë të Shpërndarë (DAS), të cilat kompanitë private të telekomunikimit i përdorin që të lokalizojnë prerjet në kabllot e tyre.
“Nëse kemi një pasqyrim të qartë të asaj që po ndodh, atëherë mund të vendosim njësi për të verifikuar atë që na thotë sistemi”, ka theksuar Bratbak.
Gjeneral-lejtnant gjerman Hans-Werner Wiermann, i cili drejtoi një njësi të koordinimit të infrastrukturës nënujore në selinë e NATO-s deri në mars, ka thënë se asnjë tubacion apo kabllo nuk mund të ruhet gjatë gjithë kohës.
“Përgjigja e duhur ndaj sulmeve të tilla hibride është elasticiteti”, ka deklaruar ai, duke shtuar se kompanitë tashmë po vendosnin kabllo për të shtuar “tepricat” - rrugë rezervë që do t’ua mundësojnë pjesëve kritike të infrastrukturës ta vazhdojnë punën nëse pritet një kabllo.
Në bordin e Weilheimit, droni i dytë i Krol më në fund është në gjendje të përballojë stuhinë që ta vazhdojë stërvitjen e inspektimit nën ujë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com