Tejkaluan shpejtësinë e lejuar, iu hiqet patentë-shoferi deri në një vit (FOTO)

Policia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, sot në ora 00:20 të mëngjesit ka shqiptuar gjobë ndaj dy personave të cilët kishin tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Sipas policisë, në rrugën ‘’Rexhep Bislimi’’ në Ferizaj, në zonën e kufizimit 40 km/h shoferi e zhvilloi shpejtësinë 90 km/h.

“Në lidhje me këtë policia ndaj shoferit me inicialet M.B (M/K) i moshës 19 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 300 euro, 3 pikë negative dhe gjashtë muaj masë mbrojtëse (heqje e patentë-shoferit)”- thuhet në komunikatën e lëshuar nga policia.

Në po të njëjtën rrugë, rreth orës 00:43, policia e ka ndaluar shoferin tjetër, i cili me automjetin e tij të udhëtarëve shkaktoi kundërvajtje në komunikacion.

“Tejkalim i shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 40 km/h zhvilloi shpejtësi 118 km/h. Ndaj shoferit me inicialet A.T (M/K) i moshës 33 vjeçar i shqiptoi një gjobë, sipas ligjit të komunikacionit rrugor, 500 euro, 5 pikë negative dhe një vit masë mbrojtëse (heqje e patentë-shoferit)” – thuhet tutje.

Policia Rajonale e Ferizajt, ka apeluar tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes.

Policia gjithashtu ka ftuar qytetarët të bashkëpunojnë, për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion.