Teatri ‘Muharrem Qena’ bëhet me 10 aktorë rezidentë

Teatri “Muharrem Qena” i Qytetit të Mitrovicës është bërë me 10-të aktorë rezidentë. Teatri “Muharrem Qena” ka publikuar sot rezultatet e konkursit të hapur javë më parë për pranimin e aktorëve të teatrit. 

Sabit Sheremeti, ushtrues i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të teatrit mitrovicas, ka thënë për KALLXO.com se janë pranuar 10 aktorë, nga të cilët vetëm dy gra.  

“Numri i aplikuesve ishte 18, prej tyre 6 nuk i kanë plotësuar kriteret për audicion, me arsyetim mungesa e përvojës së punës, 4 prej tyre kanë diplomuar me 13.07.2020. Konkursi është hapur me 01.07.2020. Audicioni është mbajtur me 23.07.2020 dhe kanë marrë pjesë 11 aktorë/e. Një nuk ka marrë pjesë në audicion”, ka thënë Sheremeti. 

Sheremeti ka thënë se aktorët e pranuar do të kenë kontrata dy vjeçare me mundësi vazhdimi, sipas suksesit dhe angazhimit te treguar gjatë periudhës 2 vjeçare. 

“Formimi i ansamblit rezident për Teatrin ‘Muharrem Qena’ them lirisht se është ditë historike për teatrin dhe aktorët sepse ky teatër nuk ka pasur asnjë aktor të punësuar, kurse nga  tash e tutje me pranimin e aktorëve do te shtohen aktivitetet teatrale, të cilat i kanë munguar me vite Qytetit të Mitrovicës”, ka thënë Sheremeti.