Teatri Kombëtar shfaq të premten premierën e dramës 'Martesa'

Premiera e shfaqjes “Martesa” me regji të Norbert Rakowski jepet të premten më 20.09.2024, në Teatrin Kombëtar të Kosovës (TKK).

Shfaqja do të jepet në ora 20:00 në Amfiteatrin e TKK-së në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

“Martesa” është një rrëfim për përditshmërinë, një studim mbi njeriun e zhytur në ëndërr. Shfaqja “Martesa”  thuhet në njoftimin e TKK-së, e çon shikuesit në një botë që përballet me traumën e së kaluarës dhe përpjekjet për të ndërtuar një realitet të ri.

Në dramë thuhet më tej në njoftim, protagonisti kryesor, Henri, kthehet në një botë që tashmë nuk e njeh, e cila bëhet një alegori për kthimin në një vend të prekur nga lufta, ndarjet shoqërore dhe politike.

Në shfaqje luajnë: Armend Smajli, Shkëlzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj, Adhurim Demi. Reprizat e shfaqjes “Martesa” do të jepen më 21, 23 dhe 24.09.2024.