Burimi Kallxo.com

Teatri Kombëtar mbetet në dorë të ushtruesve të detyrës së drejtorëve

Nga dita e djeshme Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa drejtorin e përgjithshëm, pasi regjisori Agim Spoi ka përfunduar po dje mandatin e tij katër vjeçar në krye të TKK-së.

Meqë Ministria e Kulturës ende nuk ka hapur konkursin për drejtor të përgjithshëm, pas përfundimit të mandati të Sopit, Këshilli Drejtues i këtij institucioni duhet të zgjedh një ushtrues detyre.

TKK për më shumës e 7 muaj nuk ka as udhëheqës artistik. Aktori Adrian Morina aktualisht mban pozitën e ushtruesit të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së.

Fisnik Ademi, kryetar i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar ka thënë në një prononcim për Kallxo.com se janë në koordinim me MKRS-në për caktimin e një ushtruesi të detyrës së drejtorit, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri. Ndërsa ka thënë se këshilli ka dërguar në MKRS edhe kërkesën për shpalljen e konkurseve për zgjedhjen e dy drejtuesve të teatrit

“Mandati i ish-drejtorit ka skaduar dje. Jemi në koordinim me MKRS-në për me caktu një U.D. Në mbledhjen e kaluar të këshillit kemi kërkuar hapjen e konkursit për drejtor të përgjithshëm dhe për udhëheqës artistik”, ka thënë Ademi

Ndërsa, zyrtarë të MKRS-së kanë thënë se konkursi për zgjedhjen e drejtuesve të teatrit Kombëtar pritet të shpallet brenda javës, por pa dhënë datën e saktë.

“Brenda kësaj jave do të shpallen konkurset për drejtor të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik në TKK”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Sipas ligjit në fuqi për teatrot, drejtuesit e TKK-së zgjidhen nga Këshilli Drejtues i këtij teatri.

Në pikën 6 të nenit 13 të ligjit për teatrot, thuhet se konkursi për zgjedhjen e udhëheqësve të teatrit shpallet një muaj para skadimit të mandatit të udhëheqësve në detyrë.

“Emërimin e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik e bën Këshilli drejtues i teatrit. Shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik e bën Këshilli drejtues i teatrit”, thuhet në pikën 7, përkatësisht pikën tetë të nenit 13 të ligjit për teatrot në vend.