Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Teatri Kombëtar e nis vitin 2021 pa miratuar planin vjetor të punës

Teatri Kombëtar i Kosovës ende nuk e ka miratuar planprogramin për vitin 2021.

Arsyeja që deri më tani TKK-ja nuk e ka miratuar planin e punës për këtë vit është se ky institucion është në proces të zgjedhjes së dy drejtuesve të tij, udhëheqësit artistik dhe drejtorit të përgjithshëm.

Naser Shatrolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshme të TKK-së ka thënë për KALLXO.com se brenda këtij muaji pritet zgjedhja e dy drejtuesve të Teatrit Kombëtar.

Pas kësaj, sipas tij, pritet edhe miratimi i plan programit të punës për 2021.

“Ndërkohë meqë është hapur konkursi për dy udhëheqësit e TKK-së, pritet që brenda këtij muaji të zgjidhen drejtorët, pastaj do të ketë konkurs (skena e vogël) dhe format të ri teatror në menaxhment, sikundër që menaxhmenti i ri do të bashkërendojnë me Këshillin Drejtues për të krijuar programin artistik të këtij viti, qoftë për skenën e vogël apo të madhen”, ka thënë Shatrolli.

Sipas ligjit për teatrot, planprogrami artistik dhe plani vjetor buxhetor i Teatrit Kombëtar, propozohen nga udhëheqësi artistik dhe drejtori i përgjithshëm, ndërsa miratohet nga Këshilli Drejtues i TKK-së.

Gjatë një viti, TKK-ja është i obliguar të realizojë së paku pesë premiera teatrore në skenën e madhe.

Ndërsa shfaqjet në skenën e vogël përzgjidhen përmes konkursit publik.