Teatri i Shekspirit po përballet me mbyllje të përhershme si pasojë e pandemisë

Shtëpia  e famshme e shfaqjeve në Londër, në të cilën u interpretuan shfaqjet e dramaturgut Uilliem Shekspir, po përballet me mbyllje të përhershme, si rezultat i masave parandaluese ndaj coronavirusit, paralajmëron teatri dhe politikanët nga Mbretëria e Bashkuar, shkruan CNN.

Të hënën ligjvënësit paralajmëruan qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që teatri historik  i cili është mbyllur që nga marsi për shkak të kufizimeve po përballet me  “falimentim dhe mbyllje” si pasojë e rënies financiare.

Teatri “Shakespeare’s Globe” u ndërtua së pari nga ndërmarrja e Shekspirit, “Lord Chamberlain’s Men”, në vitin 1599, por u shkatërrua nga zjarri në vitin 1613.

Ndërtesa e ngjashme u ndërtua në vitin 1997, vetëm disa metra larg vendit origjinal në brigjet e lumit Thames. Teatri është pothuajse identik nga pamja me origjinalin, por me tipare moderne.

Uilliem Shekspir është autori i shumë shfaqjeve si “Ashtu sit ë pëlqen ty”, “Hamlet”, “Nata e Dymbëdhjetë”, “Mbreti Lir”, “Makbeth” dhe “Othello” me performacë dhe strukturë origjinale.

Por, tani, ekipi i teatrit ka paralajmëruar se kjo mbyllje paraqet kërcënimin më të madh për teatrin që nga hapja.

Drejtoresha artistike e teatrit, Michelle Terry për Radio BBC tha se teatri nuk ka të drejtë të financohet nga Këshilli i Arteve dhe se është përballur  me detyrimin që të mbaj baraspeshwn nw mes mbijetesës dhe shërbimit të komunitetit.

“Pak a shumë si çdo institucion i pavarur, kjo gjendje është kafshatë e madhe. Ne jemi plotësisht të varur vetëm nga të ardhurat e shitjes së biletave me pakicë dhe nga punëtoritë edukative. Kur të ardhurat të ndalen ne kemi pak rezerva në bankë , tha Terry.

Ligjvënësi Julian Knight, udhëheqës i komitetit dixhital, kulturës, medias dhe sportit në Mbretërinë e Bashkuar, paralajmëroi se mbyllja e teatrit do të ishte një “tragjedi”.

“Shakespeare’s Globe” është një institucion me famë botërore dhe jo vetëm pjesë e identitetit tonë kombëtar, por një shembull kryesor i kontributit kryesor që artet japin në ekonominë tonë. Nëse i dorëzohet COVID-19, do të ishte një tragjedi”, tha ai.

Përgatiti: Antigona Isufi